Pavarësisht situatës tejet të rënduar, si pasojë e tërmetit shkatërrimtar që ka prekur vendin, krerët më të lartë të shtetit ndodhen sot në Vlorë ku po kryejnë homazhe në nderim të ditës së Pavarësisë.

Presidenti i vendit Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi, dhe kryeministri Edi Rama kanë thyer akujt mes tyre dhe janë shfaqur duke kryer homazhe në Vlorë, ndërsa festat e këtij Nëntori do të kalohen në heshtje, në nderim të më shumë se 40 viktimave që la pas tërmeti në Durrës dhe në Thumanë.

Në një deklaratë të shkurtër për mediat nga Vlora, Meta tha se kjo nuk mund të jetë një ditë feste, por një ditë për të nderuar Flamurin Kombëtar.

“Sot nuk eshte nje dite per te festuar, por nje dite per te nderuar Flamurin Kombetar. Te angazhohemi per te sheruar sa me pare te jete e mundur plaget e shkaktuara nga termeti. Te jemi sa me prane familjeve qe kane humbur te afermit dhe te dashurit e tyre. E gjithe politika duhet te jete gjithmone e bashkuar per ceshtjet me te rendesishme te vendit dhe te shtetit”, u shpreh Meta nga Vlora.

Ndërkohë përpara mbërritjes së tij në Vlorë, Neta ndau dhe një mesazh me të gjithë shqiptarët, teksa shkruante:

“Të dashur bashkëatdhetarë kudo ku jeni! Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre.

Sot e nisa këtë ditë të bekuar të kombit tonë duke vizituar familjet që kanë mbetur pa strehë në Sukth, ku takova edhe Amelian, e cila edhe pse ka dy ditë që jeton në çadër e në kushte të veshtira, sot kishte zgjedhur të vishej me ngjyrat e Flamurit Kombëtar. Sa më shumë të bëjmë sot për këta fëmijë, aq më shumë ata do ta nderojnë Flamurin tonë Kombëtar dhe shtetin e tyre kur të rriten.” 

(E.K/Faxweb.al)