Shqipëria është zgjuar mëngjesin e sotëm nën lëkundjet e një tërmeti me pasoja apokaliptike, që ka lënë pas viktima të plagosur dhe dëme të pallogaritshme në banesa.
Tërmeti më i fortë ka qenë ai i orës 03:54 minuta, me magnidutë 6.4, që arrin intesitetin deri në 9 ballë në qytetin e Durrës, ndërsa epiqendra e tij ka qenë në detin Adriatik.
Derimë tani janë konfirmuar 5 viktima, 1 i ri në Kurbin që u hodh nga ballkoni, dy gra në Thumanë, dhe dy viktima në Durrës. Në Thumanë dhe në Durrës dëmet kanë qenë më të mëdha dhe po punohet mbi rrënoja, pasi dyshohet që ka disa persona që janë aty, madje raportohet për familje, mes tyre dhe fëmijë.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirlliu tha se derimë tani 325 qytetarë janë paraqitur në spitalin e Durrësit dhe në spitalin e Traumës, që kanë marrë ndihmë mjekësore. Disa prej rasteve kanë qenë më të rënda.
Zona e plazhit në Durrësit mbetet më e prekura, ku dhjetra banorë janë transportuar nga ambulancat në drejtim të spitalit. Po ashtu hotel Palma në Durrës ka mbetur i rrafshuar, ndërsa nën rrënoja dyshohet që të kenë qenë dhe persona të stafit.
Ndërkohë që në terren kanë dalë dhe krerët më të lartë të shtetit, presidenti Meta, kryeministri Edi Rama, si dhe kreu i opozitës Lulzim Basha, të cilër janë përqendruar në zonën e Thumanës, ku janë rrafshuar dy pallate.
Rama konfirmoi se ka pasur jetë të humbura, ndërsa tha se po punohet për shpëtimin e njerezve që gjenden nën rrënoja.