Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Behar Bajrit, Safet Bajri dhe Asmer Bilalit për heqjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Bajrat dhe Bilali kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Apelit, që i la në burg, por Gjykata e Lartë vendosi të mos e pranojë rekursin, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Tre të pandehurit akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, në gusht të vitit 2018 në Shkodër.

Për vrasjen e Fatbardh Licit, SPAK ka arrestuar edhe ish miss-in Eria Ago, e cila asokohe dyshohet se ka qenë e dashura e Safet Bajrit (Rustemit).

Ajo akuzohet për veprën penale të krijimit të kushteve për të kryer vrasje dhe përkrahje te autorit të krimit.

Burime bëjnë me dije se Eria Ago ka shërbyer si drejtuesja e automjetit me të cilin ndodheshin Astmer Bilali dhe Safet Bajri, duke çuar dy ekzekutorët e Licit drejt Shkodrës ditën e vrasjes.

Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025. Bashkë me masën “arrest me burg” GJKKO ka miratuar me kërkesë të SPAK edhe kërkesën për kryerjen e një analize të ADN-së së Safet Bajrit.

Sipas raportimeve, ditën që u soll nga Shkodra në policinë e Tiranës e pranishme ka qenë edhe ekspertja që do të merrte kampionet për ADN, por nuk është lejuar në atë moment nga i arrestuari, i cili ka kërkuar të bëhet në një ditë tjetër.

Në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, pas ekzekutimit të masave të arrestit ndaj tyre thuhej se ndaj Bajrave dhe Bilalit rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Dyshohet se të tre personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Fatbardh Licit.

SPAK ka bërë me dije se ka mbledhur prova të mjaftueshme për të zbardhur ekzekutimin e Licit.

Në njoftimin e prokurorisë thuhej gjithashtu se motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet me faktin që Behar Bajri ka bërë fajtor Ibrahim Licin për vrasjen e ish-efektivit të Policisë së Shtetit, Boran Bërçana.

Kështu për të marrë hak, Bajrajt dhe Bilali kanë vrarë Fatbardh Licin më 8 gusht të vitit 2018.