
Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Shkodër ka intensifikuar inspektimet në kuadër të monitorimit të situatës ushqimore gjatë sezonit turistik. Në funksion të garantimit të sigurisë së produkteve me origjinë shtazore, është ndërmarrë një inspektim jashtë planit në një subjekt me aktivitet Stabiliment për përpunimin e qumështit, pas rezultateve të analizave laboratorike të kryera në kuadër të kontrollit zyrtar.
Në zbatim të Ligjit Nr. 99/2024, datë 12.09.2024 “Për Inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, Neni 46, pika 1, AKU ka marrë masën e bllokimit të produktit “Djathë kaçkavall dele”, në sasinë prej 114 kilogramësh, me destinacion përfundimtar asgjesimin e tij.
Njëkohësisht, është ndërmarrë bllokimi i linjës së prodhimit dhe ndërprerja e menjëhershme e procesit të prodhimit, ambalazhimit dhe paketimit të këtij produkti, derisa të përmbushen kushtet për rifillim të sigurt të aktivitetit.
AKU Shkodër njofton se do të vijojë me kontrolle të përforcuara në të gjitha stabilimentet përpunuese të qumështit në qark, duke vendosur në fokus mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit dhe garantimin e cilësisë së produkteve që vihen në treg, veçanërisht në këtë periudhë me fluks të lartë turistik.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit inkurajon qytetarët të raportojnë çdo dyshim mbi produkte ushqimore të pasigurta përmes kanaleve zyrtare të kontaktit.