Në forumin e prokurorëve të Ballkanit Perëndimor, kreu i SPAK, Altin Dumani, tha se Prokuroria e Posaçme ka 23 skuadra të përbashkëta hetimore me vendet e BE-së, me ato të rajonit dhe të Amerikës Latine.

“Eurojust nuk është thjesht një agjenci e BE-së, por një nyjë strategjike që na ka ndihmuar të kapërcejmë pengesat frenuese të bashkëpunimit ndërkombëtar. Përmes mbledhjeve të koordinuara, skuadrave të përbashkëta hetimore, kemi mundur të trajtojmë raste komplekse. SPAK është prokuroria me numrin më të lartë të çështjeve të çelura në Eurojust nga vendet jo anëtare të BE-së. Aktualisht, SPAK ka 23 skuadra të përbashkëta hetimore me vende të BE-së, por edhe me vende të rajonit, si dhe një skuadër në një vend të Amerikës Latine.”

Ndërkohë, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se krimi po përdor edhe institucionet e larta për të zgjeruar ndikimin e tij.

“Rrjetet kriminale po përdorin edhe institucionet në nivele të larta për të zgjeruar ndikimin e tyre dhe për t’iu shmangur drejtësisë. Forcimi i sundimit të ligjit është një sfidë thelbësore për vendet në procesin e anëtarësimit, dhe rezultatet e prekshme në këtë drejtim janë elementët kyç për të ecur përpara në integrimin në BE. Shërbimet e pavarura të prokurorisë duhet të hetojnë dhe të ndjekin penalisht krimin pa frikë apo favore. Pandëshkueshmëria nuk duhet të jetë e pranishme në shoqërinë tuaj. Identifikimi i të ardhurave financiare nga krimi dhe sekuestrimi i aseteve kriminale janë thelbësore për anëtarësimin në BE”.

Tv Klan