Një incident i paprecedentë ka ndodhur në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër, ku ishte parashikuar konferenca për shtyp në kuadër të koncertit madhështor të këngëtarit të mirënjohur Bujar Qamili, i cili do të mbahet më 21 qershor.

Sipas burimeve të pranishme, pa nisur ende konferenca, presidenti i KF Vllaznia, Alban Xhaferi, ka ndërhyrë duke prishur banerat e vendosura për aktivitetin dhe ka kërcënuar verbalisht disa nga drejtuesit e institucioneve të kulturës që ndodheshin aty, një akt rrugaçëria dhe i paprecedent për Shkodrën e kulturës dhe sportit.

Zyrtarë të Bashkisë Shkodër, të kontaktuar nga redaksia, sqaruan se koncerti nuk cënon asnjë pjesë sportive të stadiumit dhe se aktiviteti është një nder i veçantë për mjeshtrin e madh Bujar Qamili.

Më 21 qershor, Bujar Qamili do të mbajë koncertin e tij recital në stadiumin “Loro Boriçi”, ku hyrja do të jetë e lirë për të gjithë artdashësit nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe më gjerë, duke e kthyer këtë impiant sportiv në një festë të madhe në Shkodër.