
Nga Bruna Keçi
Kur mendon Shkodër, menjëherë të vijnë në mendje “Lulebora”, “Pranvera filloj me ardhë” “N’at zaman”, e shumë të tjera si këto; të vijnë ndërmend Opera, Simfoni, Balete, Uvertura, Koncerte solistike për instrumenta të ndryshme, Himne, e çka s’të vjen ndërmend…; T’vjen n’mend At Martin Gjoka (anipse kët’ e harrojmë me dashje shpesh herë), Palok Kurti, Prenkë Jakova, të cilit “Dielli s’ka për t’i prendu kurrë”, Çesk Zadeja, Ramadan Sokoli, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani….
E po ndalem këtu (tue lypë t’falun) se sigurisht lista “par exellence” asht e pafundme e kompozitorëve, instrumentistëve, këngëtarëve, dirigjentëve, kritikëve të artit apo kontributorve të tij, që ky qytet ka prodhu ndër dekada, në mos ma tepër, ndoshta duke u krahasuar, për shkak të traditës, edhe me qytetet ma t’zhviluara europiane të artit e kulturës!
Kur mendon Shkodër, kujtohesh që pikërisht këtu ka lindë Banda e parë frymore në 1876-tën, e mbas saj disa formacione të tjera frymore, ansamble klasike e qytetare dhe orkestrina, të atashuara pranë shoqnive kulturore, shtetërore, private, apo organizmave fetarë, të cilat mbanin gjallë jo vetëm jetën kulturore në qytet, por edhe mbramjet shkodranishte, të cilat nuk i gjen si model në asnjë qytet tjetër të Shqipërisë! Ata që i kanë përjetu, i ndjejnë fort mirë 😍
….deri kur në 1951-shin, me dekret shtetëror u formua në Shkodër e para Orkestër Simfonike në Shqipëri, e cila funksionoj deri në vitin 1990 pranë Shtëpisë së Kulturës, të asaj kohe dhe e cila arriti të sjellë në skenë, fillimisht, Operan “Mrika”, e pas kësaj arritje të tjera skenike të sukesesshme me shumë çmime kombëtare.
Këtë vit (për koicidencë) “Shtëpia e Kulturës” e atyne kolosëve që e ndëtuan, mbush fiks 80 vite të punës së saj, por që institucionet e kanë harru njëjtë siç pensionistat që harrojnë “ditën e pensionit dhe emnat e kolegëve”!
Shumë histori e gjatë deri këtu (tuj tentu me i ra për shkurt)…
POR, te tanë SHKODRANË ata ma nelt!
Kush mendon shkodranisht, ka arritë t’i ndjejë përpjekjet e përlutjeve ndër vite të komunitetit artistik (anipse projektet artistike nuk mungonin) për t’ja rikthy këtë vlerë unike qytetit të artit, kulturës e dashnisë për muzikën e mirë!
Në janar 2023, ja dolëm ta rikthenim si institucion! Me shumë mund, me shumë sakrificë, me pak lekë (duhet thanë edhe kjo), por me nji dashni të madhe sa Shkodra!
E rikthyem për hatër të të gjithë atyne muzikantëve që na e kishin lanë amanet, e atyne që janë ende gjallë; e rikthyem për hatër të kujtesës qytetare, për hatër të nji qyteti që frymon art, por mbi të gjitha, e rikthyem për hatër të të gjithë atyne fëmijëve që prej klasës së parë e deri n’maturë zgjedhin me studiu në shkollën artistike “Prenkë Jakova”, e që të ardhmen e tyne duan ta ndërtojnë në Shkodër, e jo në migrim, apo në emigrim! (se i kena dhanë provat që shkodranët i kanë mbushë orkestrat e kryeqytetit, orkestrat e rajonit, Europës e përtej, mbasi qyteti i tyne nuk i jepte asnjë shpresë)!
E krijuam pikërisht për ata (që vit mbas viti, brez mbas brezi të bëheshin pjesë) ku qyteti i tyre t’i jepte nji shans që talentin e tyne ta zhvillonin pikërisht këtu e jo gjetkë!
POR JO, historia u ndal! Filloj nga fillimi! Sepse historia, sipas disa mendjeve “të ndritura”, të tranportuara nga s’di se ku, fillon nga zero atëherë kur “ ekzistoj” unë! Dhe kështu ndodhi!
Gjithçka filloj nga “zero” sikur asgjë të mos kish’ ekzistuar!
Këto shpikësit e “kohëve rickluese”, shpikën gjoja një “barrë mali konkurues”, nga i cili “polli një mi”!
Por ama një “mi i madh kënete”, që u mbars sërish dhe “polli” miush të vegjël, të cilët as nuk kishin qenë fare në barkun e bartësit , por u mblodhën surrogat!
U hoqën shkodranë pa asnjë kriter profesional dhe ligjor, u vunë ca të tjerë (me mik e me parti); Do të hiqen prap këto ditë ca të tjerë (që afatin e rritjes n’pruvetë e kishin me afat 3 mujor), do të transportohen ca nga “Gjadri” e kështu dmth, histori “suksesi simfonik” që nuk duartrokitet për shkak të sallës së zbrazur në shenjë revolte surrogate!
Po ç’rëndësi ka kjo, mund të thoni ju? Mos të bëhemi paragjykues si popull!
Edhe mos guxoni me mendu që ka qëllime të fshehta për t’i ç’mitizu traditat e Shkodrës tonë të artit, kulturës e zemrës t’madhe ❤️
Ashtu siç Shkodrës i imponohen “pëshqirët muzikor” të tallavasë, çdo javë, të paguar nga taksat tona, ashtu mund t’i imponohen edhe “uzbekistanezët” nesër si spalë të Orkestrës Simfonike të saj, pse jo edhe si dirigjentë të të ardhmes, por pa paragjykime ama!….
Se kush e mban mend shkodranin spalë të Operas “Mrika”, apo dirigjentin e saj, aman? 😀
E gëzofshi Uzbekistanin e rickluar💪
Por, unë Shkodrën kam vendosë me e dashtë “porsi gjumi m’nji kërthi, e porsi DRITA e plot uzdajë” ❤️