
Edith Durham e adhuronte Shkodrën dhe gjithë simpatia për qytetin verior erdhi që kur e vizitoi për herë të parë në 1901-shin. Po ashtu Durham botoi një libër në 1914-ën “Beteja për Shkodrën” fill një vit pasi trupat malazeze dhe serbe u tërhoqën nga marrja e Shkodrës. Historiani ushtarak Përparim Rexhepaj tregon për gazetarin Dritan Hila në emisionin Shqip në DritareTv, fjalët që tha Edith Durham kur vizitoi për herë të parë Shkodrën.
“Mbrojtja e Shkodrës u organizua në kuadrin e mbrojtjes së qytetit nga rrethimi i ushtrive serbo-malazeze në luftën e parë ballkanike. Shkodra ishte një qendër e madhe tregtare, kulturore e Shqipërisë, por edhe e Ballkanit. Kishte rreth 36 mijë banorë dhe tregtarët shkodranë ishin shumë të njohur sepse bënin tregti me Malin e Zi, Kosovën dhe me Serbinë, kryesisht Beogradin ku kishin krijuar edhe një lokal atje që quhej Skadarlija-Shkodrani dhe një rrugë Skadarlija Ulica, Rruga e Shkodranëve. Ishte qendra e vilajetit të Shkodrës, që ishte vilajeti më i vogël i Perandorisë Osmane. Shkodra ishte qyteti më i madh katolik në Ballkan, mbas Zagrebit dhe kishte një mbështetje të madhe nga Austro-Hungaria për komunitetin katolik, hapi shkolla në gjuhën shqipe, ndihmoi për kishat. Shkodra ishte e para për gjithçka, ndeshjet e para janë bërë në Shkodër, fotografia e parë në Shkodër, banda muzikore e parë në Shkodër, piktorët më të mëdhenj në Shkodër. Ishte qendër kulturore që rrezatonte. Edith Durham kur erdhi për herë te parë në Shkodër, në vitin 1901 tha: Shkodra më bëri për vete menjëherë. Ishte një qytet që kishte jetë, art, ngjyra. Ndryshonte komplet nga Cetina e Malit të Zi.””, u shpreh ndër të tjera historiani Përparim Rexhepaj.