
Ka disa emra që sistemi përpiqet t’i harrojë. Jo sepse nuk vlejnë, por sepse nuk i kontrollon dot.
Një prej tyre është Gledis Nano; një ish-drejtor policie që nuk pranoi të bëhej vegël e Rilindjes, një oficer që zgjodhi të përballej me krimin, jo ta bashkëdrejtonte, dhe një figurë që ka mbështetjen e Amerikës, por jo të pazareve të brendshme.
Nano u shkarkua në heshtje dhe me ngut. Nuk kishte as skandal, as dështim. Kishte vetëm një problem: nuk pranoi të zbatojë urdhra që binin ndesh me ligjin dhe interesin publik.
Kaq mjaftoi për ta larguar. Dhe këtë nuk e themi ne, e thanë amerikanët. Yuri Kim u shpreh hapur: “Ishte një partner i mirë.” Zëri i Amerikës bëri të njëjtën gjë.
Dhe sot, nëse ndokush tenton të bëjë pis emrin e tij, është sepse ai nuk është “i tyre”.
Në vend që të mbrohej, Nano u godit me kallëzime qesharake nga qeveria, të cilat përfunduan në gjykatë.
Është e qartë: emri i Nanos tremb, sepse pas tij ka dosje të hapura, fakte reale dhe informacione që mund të fundosin jo vetëm të fortët e rrugës, por edhe “të fortët e pushtetit”
Sot, më shumë se kurrë, BKH duhet të udhëhiqet nga një figurë që nuk ka lidhje me partinë, oligarkët apo grupet e interesit.
Nuk kemi nevojë për një “noter të dosjeve”, por për një burrë që e njeh terrenin, që di të flasë me FBI-në, por edhe të përballet me trafikantët.
Nano i plotëson këto kushte. Dhe më shumë se kaq: ai ka kaluar një provë që shumica s’do guxonin ta preknin, përballjen direkte me Edi Ramën dhe klanin e tij.
Gledis Nano nuk është “i pranueshëm për të gjithë”. Por është i vetmi që nuk është i pranueshëm për të korruptuarit, dhe kjo është rekomandim më i fortë se çdo CV zyrtare.
Ata që duan të përdorin BKH-në për pazare politike, nuk do ta përkrahin kurrë Nanon. Dhe ky është argumenti më i mirë që ai duhet të jetë aty.
Në këtë betejë, nuk zgjidhet thjesht një drejtues. Zgjidhet nëse SPAK do të bëhet armë kundër të korruptuarve, apo mburojë për ta. /Pamfleti