
Drejtori i Përgjithshëm i Sherbimit Veterinar në Shkodër, Sulejman Kullolli, ka reaguar pas konfirmimit të rastit të parë të murtajës së bagëtive të imëta në fshatin Postribë, Shkodër.
Kullolli është shprehur se ferma është karantinuar ndërsa ka theksuar se mishi i kafshëve të sëmura nuk lejohet për tregtim.
“Sot bëhet eliminimi i krerëve dhe ndalohet lëvizja e kafshëve në territorin e Bashkisë Shkodër dhe Malësi e Madhe. Është bllokuar lëvizjet e kafshëve në tregje dhe thertore. Kjo sëmundje prek dhitë dhe delet. Ka pasur kontrolle, nuk janë konstatuar ferma të tjera”, shprehet Kullolli.
Kullolli në fund i bën apel të gjithë fermerëve që të lajmërojnë shërbimin veterinar nëse dyshojnë se baggëtitë e tyre janë prekur nga kjo sëmundje.
“Thirrje çdo fermeri që, kur dyshon për sëmundje, të njoftojë shërbimin veterinar. Nuk ka dalë qumësht dhe mish në treg. Mishi i kafshëve të sëmura nuk lejohet për tregtim”, theksoi ai.
Ferma në Postribë, u karantinua më 3 qershor pas ngordhjes së bagëtive të imëta. Ndërkohë, aty u morën nga Shërbimit Veterinar në Shkodër, mostra gjaku nga bagëtitë për analizim në laboratorin veterinar në Tiranë, dhe rezultatet konfirmuan rastin e parë të murtajës së bagëtive të imëta.
Çfarë është Murtaja e Ruminantëve të Vegjël?
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur edhe si Peste des Petits Ruminants, është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kafshët e imta, kryesisht delen dhe dhitë.
Përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, nëpërmjet: sekrecioneve nga hunda dhe sytë, jashtëqitjes, ajrit të kontaminuar në ambiente të mbyllura.
Simptomat tek kafshët e prekura përfshinë temperaturë e lartë, rrjedhje nga hundët dhe sytë, inflamacion në gojëm vështirësi në frymëmarrje, diarre e fortë, dobësi, mungesë oreksi.