
Ka përfunduar faza e parë e pastrimit të Dajlanit në lumin Buna, një proces i rëndësishëm për mjedisin dhe qarkullimin natyror të ujërave në këtë zonë. Lajmin e ka dhënë kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili theksoi se puna do të vijojë edhe në anën tjetër të lumit.
Në një status në rrjetet sociale, Beci ka vlerësuar angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, duke e cilësuar këtë proces si një përpjekje të jashtëzakonshme për rikthimin e Bunës në rrjedhën e saj natyrore.
Postimi i plotë:
Ka përfunduar njëra anë e pastrimit të Dajlanit në lumin Buna dhe do të vazhdojmë edhe me anën tjetër. Një angazhim i jashtëzakonshëm i të gjitha strukturave shtetërore për të rikthyer Bunën në rrjedhën e saj natyrore. Një falënderim i veçantë për Forcat e Armatosura dhe IKMT për angazhimin maksimal.