
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pas paraqitjes së tij në SPAK në zbatim të masës “Detyrim paraqitje”, ka bërë akuza të forta ndaj Prokurorit të Posaçëm, Altin Dumani.
Berisha e ka quajtur Dumani “Altin Troplini”, duke e akuzuar se bashkëpunon me kartelin e fuqishëm të drogës në Europë, që sipas tij kontrollon Portin e Durrësit. Ai tha se Dumani mbajti për 22 ditë në zyrën e tij vendimin e gjykatës për arrestimin e disa personave të lidhur me këtë kartel, duke i bërë thirrje drejtësisë që të veprojë me urgjencë ndaj këtyre rasteve.
Deklarata e Berishës është një tjetër sfidë ndaj SPAK-ut dhe thekson tensionet në skenën politike dhe të drejtësisë në Shqipëri.
“Kjo zyrë shteti që paguhet me rrogat më të larta në Ballkan, paguhet me 7 mijë euro personin, do të shpallet seksion i kartelit Troplini, më të fuqishëm të drogës në Europë, i vetmi që administron Portin e Durrësit. Ndaj dhe në shënimin që i lash Altin Troplinit, e informova se sot e tutje nga Dumani do ta quajmë Altin Troplini. Kjo për arsye të forta ligjore sepse ky bashkëpunëtor i kartelit më të fuqishëm të Europës, mbajti në zyrën e tij 22 ditë vendimin e gjykatës për arrestin e Xhevdet Troplinit, Elvis Doçit apo Pojave”, tha ai.