
Njëjtë si në vitin 2021, kryesocialsiti Edi Rama nga Kuçi i Vlorës ka vendosur bastin se sa mandate do të marrë Partia Socialiste në zgjedhje e 11 majit. Parashikimi i Ramës vjen ndërsa na ndajnë edhe 3 ditë nga zgjedhjet dhe kreu i PS është i sigurt që më 11 maj do të marrë minimalisht 78 mandate të sigurta, nga 74 që ka aktualisht.
Kryesocialisti është i bindur që do t’i marrë PD-së një mandat në Dibër, pra të përmbysë rezultatin dhe të marrë 3 mandate (nga 2 në 2021), ndërsa PD 2 mandate nga 3. Shanset me 100%, Rama i sheh për të marrë edhe nga një deputet në Shkodër, Elbasan dhe Fier. Në Shkodër, Rama synon të marrë 4 mandate nga 3 që fitoi në 2021, në Elbasan 9 mandate nga 8 që ka aktualisht dhe në Fier 10 mandate nga 9. Me firmën e tij në një mbulesë tavoline, Rama parashikon me 100% që më 11 maj do të marrë të paktën 4 deputetë më shumë. Në lokalin ku nënshkroi edhe ‘memorandumin’ e 2021-shit, Rama nuk kurseu batutat.
“Atëherë, fillojmë, këtu kemi aktualitetin. Kukësi, Dibra, Shkodra, Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Korça, Vlora, Berati dhe Gjirokastra. Tani këtu jemi 74, apo jo? 74 nuk lëviz, këto nuk lëvizin më, janë të palëvizshme. Tani, këtu do kemi minimumin. Tani minimumi është 1 në Dibër plus, 1 në Shkodër plus, 1 në Fier plus dhe 1 një në Elbasan plus, ky është minimumi 78, nën 78 nuk bie Partia Socialiste. Ky nuk është as fall, as lotari, është memorandum. Memorandumet janë për historinë”, tha Rama.
Rama bën projeksionin që PS mund të marrë deri në 88 mandate në rang kombëtar. Shansi 50% sipas Ramës është që marrin deri në 88 mandate në rang kombëtar. Nga 1 mandat plus në Kukës (nga 1 në 2), Vlorë (nga 8 në 9), Durrës (nga 8 në 9) dhe Lezhë (nga 3 të shkojë në 4). Projeksionit, Rama i shton nga 2 deputetë plus në Dibër (nga 2 në 4), Shkodër ( nga 3 në 5), Tiranë (nga 18 në 20), Elbasan (nga 8 në 10) dhe Fier (nga 9 në 11).
Në mbulesë Rama përpos se ka vënë firmën e tij, nuk ka harruar as të pikturojë një buf kënetë duke i vendosur mbi të një kryq, duke ironizuar kështu edhe Sali Berishën.