
Analistët Andi Bushati, Mentor Nazarko dhe Preç Zogaj komentuan në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, fushatën e Aleancës për Shqipërinë Madhështore që drejtohet nga PD-ja.
Ndërsa Bushati tha se opozita nuk u asgjësua dhe pse nuk fiton zgjedhjet, Nazarko tha se PD ka patur premtime të ekzagjeruara, kurse Zogaj tha se ishte fushatë pa projekt e PD-së për të elaboruar rrotacionin e pushtetit.
Pjesë nga biseda
Andi Bushati: Opozita kishte dy kollona, duke e quajtur këtë vend një autokraci, me anë të rezistencës donte të jepte një shembull, aq sa ka arritur të bëjë, që diktaturës edhe i rezistohet. 4 vite më parë flisnim që do të asgjësohej opozita dhe u ringjall. A mjafton për të fituar zgjedhjet? Jo, humbjen e ka të sigurtë, por nuk u asgjësua. Këtë ka dashur ta demonstrojë edhe me amerikanët, edhe me lajmin për non-gratën që mori dje.
Tjetra, duke patur përballë një Ramë pa asnjë program, t’i premtojë njerëzve. E kam thënë me tallje që mund të premtonte edhe më shumë, se kur e di që nuk fiton, mund të premtosh ç’të duash. Por fakti që e tërhoqi debatin te paga, pensioni, minimum jetik, duke marrë trajtat e një partie të majtë… Duke patur përballë një konkurent që mendon vetëm për të pasurit dhe oligarkët, bëri këtë zgjedhje. Nuk e di sa i ka ngjitur kjo strategji, sepse qeveria u mundua ta mbulojë me heshtje. E dyta, ndihma e fortë e mediave që u munduan ta heshtin.
Mentor Nazarko: Ka qenë fushatë e qetë. Me premtime të mëdha. Edhe partitë e reja kanë bërë fushatë cilësore.
PD ka vuajtur kompleksin e non-gratës, por gjithësesi është fakt, që për shkak të ardhjes së administratës Trump, konsulenti, por edhe lajmit të fundit për mundësinë e zotit Berisha për të udhëtuar, është hequr përmasa anti-amerikane që ka shoqëruar opozitën. Kjo është arritje e madhe për një vend ku populli është properëndimor. Ka patur premtime të ekzagjeruara, jorealiste, modeli i premtimeve pa mbulesë, por në bilanc të fundit, duke mbajtur parasysh moshën e zotit Berisha, ka qenë një fushatë serioze.
Preç Zogaj: Ishte fushatë pa projekt të elaboruar për rrotacionin e pushtetit. Hynë në subkoshiencën e tyre për të qëndruar në opozitë. Mbyllën listat në kreun e tyre dhe shkelën një premtim 4-vjeçar që do të bëjmë diferencën me lista të hapura. Dyfishuan në mbylljen e listave edhe të primaret e tyre. Si të mos mjaftonte krijimi i dy grupimeve, patricëve dhe plebenjve të listave, futën në listën e mbyllur njerëz që nuk kishin hyrë në primare. Nuk kishte projekt edhe për koalicon të madh. Përshtatën në Shqipëri trampizmin. PD, përshtati trampizmin në shumë elementë.
Në fushatë Berisha ka bërë përpjekje për ta kompensuar krizën që ka shkaktuar vetë. Kundërshtari është në punë të vet ti dalë zot të çosh demokratët në pushtet. Ka bërë përpjekje te fushata, ka zgjidhur thesin, ka bërë propozime që prekin plagët shoqërore, janë pozitive, e ka influencuar qeverinë me disa propozime. Por, të gjitha këto lidhen me krizën. Kriza nuk kurohet me truke.