
Bllokohet për herë të dytë mbledhja e Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Këshilltarët e Partisë Demokratike janë larguar nga salla, duke zgjedhur që të bojkotojnë punimet e Paralamentit lokal, ndërsa lëvizje ka pasur edhe nga radhët e Partisë Socialdemokrate. Në rendin e ditës për sot ishte përfshirë miratimi i fondit 6% të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, menaxhimin e sezonit turistik në plazhet e Velipojës, dhe investime në fushën e kulturës. Por për opozitën, rendi ishte i motivuar politikisht dhe abuziv, për t’u përdorur në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Këshilltarët e mazhorancës e konsideruan bojkotin si një akt të turpshëm, ndërsa Gjovalin Ndoj, anëtar i Këshillit Bashkiak i zgjedhur nën siglën e Partisë Socialdemokrate (PSD) të Tom Doshit, sot lajmëroi largimin e tij nga kjo forcë politikë duke zgjedhur Partinë Socialiste.
“Që nga ky moment nuk jam më këshilltar i grupit të PSD, arsyeja është se dua të mbështes projektet e Bashkisë se për këtë na kanë votuar qytetarët, mua të Velipojës. Nga ky moment jam pjesë e grupit të Partisë Socialiste,”-tha Ndoj.
Ky është rasti i dytë radhazi ku mbledhja e Këshillit Bashkiak dështon për shkak të mungesës së kuorumit./ZËRI