
Kryetari i Partisë Socialiste në Lezhë, Ermal Pacaj, njëherazi edhe kandidat në listat e mbyllura të PS-së për zgjedhjet e ardhshme, ka denoncuar publikisht kandidatin e Partisë Demokratike, Gjin Gjoni.
Sipas Pacajt, gjatë fushatës elektorale, Gjoni ka përhapur akuza të pabazuara ndaj drejtuesve të PS në zona të ndryshme, përfshirë disa drejtues shtabesh, duke i akuzuar ata për blerje votash.
Gjithashtu, Pacaj bëri publik edhe një tjetër incident të rëndë, ku sipas tij persona të armatosur janë futur në ambientet e lokalit të babait të kandidates së PS, Klotilda Ndreca, dhe kanë kërcënuar familjarët se do të merren peng.
Po ashtu janë publikuar edhe pamjet nga kjo ngjarje, ndodhur një natë më parë në ambientet e jashtme të biznesit të babait të Ndrecës.
Burime nga Policia konfirmojnë se dy persona janë shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Dajç të Lezhës.
Ndërkohë policia bën me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç, si autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” .
Shpallja në kërkim e tyre u bë pasi rreth orës 23:25 të datës 04.05.2025, shtetasit E. N. dhe D. N. njoftuan Sallën Operative të Policisë së Lezhës, se fillimisht automjeti me të cilin lëviznin, ishte ndjekur nga 2 automjete të tjera, dhe më pas në fshatin Dajç, ishin kanosur me armë, nga shtetasit që udhëtonin me dy automjetet, për pretendime që lidhen me fushatën elektorale të motrës së tyre, kandidates për deputete të qarkut Lezhë, shtetases K. N.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë nisën hetimet, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të rastit. Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se autorë të kanosjes janë shtetasit Xh. S., 27 vjeç dhe I. Gj., 40 vjeç. Shërbimet e Policisë vijojnë intensivisht punën për kapjen e tyre. Gjithashtu, në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, po kryhen hetime për të zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore të gjitha rrethanat e këtij rasti.