Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më parë, më 8 Maj do të realizohet fluturimi testues në aeroportin e Vlorës. Kryeministri Edi Rama ka ndarë një video, duke theksuar se na ndajnë edhe tre ditë nga ulja e avionit të parë.

“Edhe 3 ditë nga ulja e avionit të parë në pistën e kodifikuar me inicialet VLO dhe për fillimin e testeve të hapjes graduale, për çertifikimin përfundimtar”, shkruan kryeministri.

Fluturimet e para projektohen të bëhen në verën e vitit 2025. Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 milionë euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend.Aeroporti i tretë në vend, i vendosur vetëm 10 km në veri nga qyteti Vlorës, do t’u japë njerëzve akses në të gjithë bregdetin jugor dhe Rivierën Shqiptare. Ky aeroport do të jetë një mundësi më shumë për turistët e huaj, për të aksesuar bregdetin e mrekullueshëm të jugut, por edhe një urë lidhëse e re e Shqipërisë me vendet e tjera.