Të nderuar qytetarë të Shkodrës,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot, Kryetari i Këshillit Bashkiak doli me një deklaratë të vonuar dhe tërësisht të motivuar politikisht, që ka vetëm një qëllim: të manipulojë opinionin publik dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga realiteti i hidhur i dështimeve të bashkisë dhe frika nga humbja që i pret në zgjedhjet e 11 majit.
Është e rëndësishme që qytetarët ta dinë të vërtetën: mbledhja për të cilën flet kryetari është zhvilluar më 8 prill, ndërsa deklarata e tij vjen vetëm sot, 22 ditë më vonë, kur zgjedhjet e 11 majit janë në prag. Nuk është rastësi. Kjo është një manovër e pastër elektorale, e diktuar nga zyra e kryetarit të bashkisë, tashmë i pandehur nga SPAK, i cili e ka kthyer bashkinë në një zyrë partie dhe një mjet personal propagande.
Për Partinë Demokratike, vendimmarrja në Këshillin Bashkiak nuk është çështje votimesh formale. Ne besojmë në transparencë, debat institucional dhe në ndarjen e qartë mes interesit të qytetarëve dhe interesave elektorale të pushtetit. Kur mazhoranca tenton të përdorë fondet publike dhe vendimet e këshillit si instrumente fushate, ne nuk mund dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj farse.
Opozita nuk ka bojkotuar Shkodrën, përkundrazi – ka mbrojtur integritetin e vendimmarrjes dhe parimet themelore të qeverisjes vendore.
Nuk mund të kërkohet miratim i vendimeve me vlera të larta monetare në mënyrë të nxituar, pa dokumentacion të plotë, për t’u përdorur më pas nga Benet Beci dhe Partia Socialiste për të financuar fushatën dhe për të blerë vota. Kjo është e papranueshme.
Shkodra meriton institucione serioze, ku çdo vendim të merret me përgjegjësi, jo në funksion të interesave të ngushta politike, por për të mirën e qytetarëve.
Qytetarët janë lodhur nga improvizimet, mashtrimet dhe propaganda. Ata kërkojnë vendimmarrje të hapur dhe projekte që lindin nga një vizion i qartë për të ardhmen, jo nga frika e humbjes.
Këto janë shenja të një pushteti që po rrënohet nga brenda – nga paaftësia për të dëgjuar dhe nga frika për të humbur. Dhe me të drejtë frikësohen: Partia Demokratike është në prag të një fitoreje historike në Qarkun Shkodër. Këtë e dinë edhe ata – prandaj po reagojnë me vonesë, me sulme dhe me manipulime.
Ne do të vijojmë të qëndrojmë aty ku kemi qenë gjithmonë: në anën e qytetarëve. Me kurajo, me përkushtim dhe me një vizion të palëkundur për një Shkodër Madhështore!

Irena Shestani- Shala, Kryetare e grupit të Këshilltarëve PD, Këshilli Bashkiak Shkodër