
I rikthyer pas 12 vitesh në Kongresin e Partive Popullore Europiane që zhvillon punimet në Valencia të Spanjës, Sali Berisha foli me shqetësim për situatën politike që po kalon vendi duke akuzuar kryeministrin Rama se e ka shndërruar Shqipërinë në një narkodiktaturë në qendër të Europës.
“Shqipëria sot është shteti i parë dhe i vetëm narkoshtet në Europë, ku gjithë pushtetet janë në dorën e një njeriu të vetëm. Kryeministri, i cili shfaqet në samite ndërkombëtare me atlete të bardha dhe kryen plaçkitje, sillet në vend si një diktator i mirëfilltë. Ai kontrollon të gjithë ekonominë, median. Në fund, ai bllokoi TikTok-un, duke e bërë vendin të duket njësoj me Kabulin dhe Teheranin”, tha Berisha.
Kreun e qeverisë e akuzoi edhe për korrupsion ndërkombëtar duke përmendur rastin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së Charles McGonigal.