
TI MUNDESH
Pavarësisht se bashkë me praktikën, këtë vit mbushen 25 vite pune Avokate, gjithmonë do të kujtoj momentin e parë kur trokita në dyert e gjykatës dhe për shkak të mungesës së eksperiencës, e veshur “jo sipas kodit”, mu ndalua hyrja. Nga “trajtimi” që mora asokohe, u ndjeva e zhvlerësuar, edhe pse kisha përfunduar studimet për drejtësi. Por të nesërmen, pasi u ktheva në shtëpi, reflektova. U ngrita, cela dollapin dhe zgjodha veshjen më serioze. Mblodha flokët dhe e “armatosur” me dosje, trokita përsëri. Kësaj radhe, dera u cel dhe pikërisht këtu, filloi dhe rrugëtimi im në drejtësi, ku trokitjes së dyerve i shtoheshin trokitjet e zemrës me zërin tim, dridhej nga pasiguria. Flasim për një periudhë ku aksesi avokateve të gjinisë femërore ishte i kufizuar. Por, me kalimin e viteve, rrahjet pakësoheshin dhe zëri im fuqizohej përmes zërit të grave dhe vajzave, viktima të dhunës të cilat pata fatin të përfaqësoj. Fuqinë, zëri im e mori përmes zërit të tyre.
Të jesh profesioniste në drejtësi, (si në cdo sektor tjetër) nuk është e lehtë, sepse do të jesh shënjestër e urrejtjes, cmirës, interesit, indiferentizmit, injorancës, seksizmit, despotizmit, maskilizmit, shumë shpesh sepse je GRUA. Të jesh viktimë në shoqëri, është e vështirë për shkak të burokracive, riviktimizimit, mendësisë patriarkale, fajësimit për veprimet e tjetrit ndaj teje, diskriminimit, sepse je GRUA. Por kjo s’do të thotë se duhet të heshtim…
Në përpjekjet e mia, familja ime, mësuesit e mij, kanë qenë mbështetja ime më e madhe, me besimin që “TI MUNDESH”. S’ka rëndësi se sa pengesa na dalin përpara, është kjo që ne vazhdimisht duhet t’u themi, vajzave, grave, viktimave, që vajzat munden, që gratë munden. Në një botë të ashpër, po që secili nga ne, udhëhiqet nga një thirrje e brëndshme duhet të besojmë tek forca e gruas dhe të mbështesim njëra tjetrën, pavarësisht nga diferencat, idetë dhe pwrkatwsia.
Avokatja, lind. Doktoresha lind. Diplomatja lind, Studiuesja, Ekonomistja, Krijuesja, …të gjithë lindin me thirrjen e tyre të brëndshm, thirrje e cila mbyt të gjithë zërat që na rrethojnë dhe të cilës nuk kemi zgjidhje vecse t’i bindemi. Kjo thirrje e brëndshme, është fati jonë, rrugëtimi ynë në jetë, ajo që na udhëheq. Është vullneti I Zotit; është një arsye që ne jemi sot këtu, që jemi thirrur sot këtu, sepse vetëm të bashkuar në një të vetëm, zërat tanë duhet dhe mund të sjellin ndryshimin.
AVOKATE Edlira Bylo
Fjalim i mbajtur në eventin “Ecja Globale e Mentorimit, Shqipëri”
Vital Voice Global Partnership