Prokuroria e Elbasanit ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim Sokol Mjacajn dhe 12 zyrtarë të burgut të Peqinit. Ata do të gjykohen për krimin që ndodhi më 15 dhjetor 2023, kur u vra i burgosuri Arben Lleshi dhe u plagos Indrit Shaqja, nga Sokol Mjacaj, i dënuari me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë.

Dyshohet se arma e përdorur prej tij në këtë krim ishte futur në burg disa javë përpara ngjarjes. Mjacaj e pranoi që kishte një konflikt me Lleshin, por prokuroria e konsideron këtë vetëm një alibi, duke e parë si një vrasje me pagesë.

Sipas hetimeve ka dyshime se zyrtarë të burgut mund të kenë bashkëpunuar me Mjacajn për të futur armën në burg dhe për të mbajtur informacion të fshehtë për ngjarjen. 12 zyrtarët e burgut, përfshirë drejtorin Kamber Hoxha dhe disa shefa të regjimeve të ndryshme, akuzohen për “shpërdorim detyre” dhe për mosrealizimin e detyrës së sigurisë, që mund të kenë kontribuar në mundësimin e kryerjes së krimit brenda burgut të Peqinit.