Përplasje e ashpër në transmetim global mes Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale, ku presidenti amerikan e akuzoi homologun ukrainas se po “e vendos veten në një pozitë të tmerrshme” dhe se “nuk ka asnjë kartë në dorë” për një marrëveshje.

“Duhet të jeni mirënjohës”, bërtiti Trump.

“Nuk kam ardhur këtu për të luajtur letra”, iu përgjigj prerazi Zelensky, i cili ndodhej në Shtëpinë e Bardhë për të firmosur marrëveshjen mbi mineralet.

Në fund, konferenca e përbashkët për shtyp u anulua. Nuk pati asnjë firmë për marrëveshjen mbi mineralet e rralla. Gjithçka u prish.

Trump e kërcënoi presidentin ukrainas: “Ose bëni një marrëveshje, ose ne largohemi! Pa armët amerikane, do ta kishit humbur luftën për dy javë”, duke e rënduar edhe më tej tonin e tij dhe duke e fyer Zelenskyn:

“Nuk je edhe aq i zgjuar”.

Në një moment, Trump iu drejtua Zelenskyt me një paralajmërim të ashpër: “Po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore” dhe e vuri përballë një realiteti të hidhur: “Ukraina do të duhet të bëjë kompromise me Rusinë për të arritur një armëpushim”.

Por Zelensky refuzoi prerazi: “Putin është një vrasës – nuk dua kompromise”.

Takimi që duhej të ishte vendimtar për të ardhmen e luftës, u shndërrua në një moment historik, por jo për arritjen e paqes, por për përplasjen e ashpër mes dy liderëve.

“Problemi është se të kam dhënë fuqinë për të qenë i ashpër – tha Trump – dhe nuk mendoj se do të ishe i tillë pa Shtetet e Bashkuara. Populli yt është shumë i guximshëm, por ose do të bësh një marrëveshje, ose ne largohemi. Dhe nëse largohemi, do të luftoni vetëm. Nuk besoj se do të jetë mirë, por do të luftoni. Nuk ke karta në dorë, por nëse firmosim këtë marrëveshje, do të jesh në një pozicion shumë më të mirë. Do të jetë një marrëveshje e ndershme. Nuk është aspak e hijshme që nuk tregon mirënjohje”.

Dhe vazhdoi: “Duhet të jesh mirënjohës, populli yt po vdes. Na thua se nuk dëshiron armëpushim, se dëshiron këtë ose atë. Nëse ke mundësi të sigurosh një armëpushim, duhet ta pranosh, që plumbat të ndalen”, shpjegoi Trump.

Zelensky reagoi prerazi: “Sigurisht që duam ta ndalim luftën – por ajo që të kërkova janë garanci”.

Pas kësaj, Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë. Qëndroi në rezidencën presidenciale vetëm për dy orë e njëzet minuta. Konferenca e shtypit, ku do të duhej të nënshkruhej marrëveshja për shfrytëzimin e mineraleve ukrainase, u anulua. Dhe Trump e mbylli kapitullin me këto fjalë: “Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Në një postim në rrjetin e tij social “Truth”, Trump akuzoi Zelenskyn se “mungesa e tij e respektit ndaj Shteteve të Bashkuara” ishte e pafalshme.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë patëm një takim shumë domethënës – shkroi ai. – Është befasuese ajo që del nga emocionet, dhe e kuptova që presidenti Zelensky nuk është i gatshëm për paqe nëse Amerika është e përfshirë, sepse ai beson se angazhimi ynë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua paqe. Ai ka treguar mungesë respekti për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre të dashur Ovale. Mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”.

Vizita e Zelenskyt në Uashington, ka një fillim të vështirë. Donald Trump donte ta anulonte atë, por – sipas transmetuesit francez Bfmtv – udhëheqësi i Elysée Emmanuel Macron e bindi atë ta takonte.