
Dosja penale në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva i marrë i pandehur, për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës. Mësohet se dosja është e veçuar nga pesë personat e tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe. Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Renis Sheshi dhe me 26 shkurt është caktuar që të zhvillohet seanca e parë paraprake gjyqësore.
Ndaj portugezi prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat “Vrasja për gjakmarrje” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” dhe tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendos, nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.
SI NDODHI VRASJA?
Ardian Nikulaj u vra më 19 prill brenda lokalit të tij në Shëngjin. Porositës dhe organizator është Edmond Haxhia i cili ka rënë në pranga, së bashku me tre britanikë Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman. Të katër këta janë prangosur, pasi autoritetet britanike kanë pranuar si të ligjshme kërkesën e bërë nga Policia e Shtetit.
Portugezi Ruben Saraiva u largua nga Shqipëria përmes Doganës së Kapshticës, bashkë me britanikun Harry Simson, në drejtim të Greqisë. Ai u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgim.
Nga ana tjetër, britanikët dyshohet se kanë qenë informatorë, dhe kanë qëndruar pikërisht në resortin në pronësi të biznesmenit Ardian Nikulaj dhe sipas hetuesve, ata kanë vëzhguar për ditë me radhë lëvizjet e tij dhe të stafit, të cilat më pas ia raportonin portugezit Ruben Saraiva.