Në Gjykatën e Posaçme sot rreth orës 08:30 do të zhvillohet seanca për rivlerësimin e masave të sigurisë për 8 të pandehurit e dosjes së kryebashkiakut të Tiranës, ku janë të vënë në pranga vetë Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Abule. Sot në gjykatë do të jenë edhe 5 biznesmenët e tjerë veç Elman Abule, të cilët sipas dosjes, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprave penale nga ana e kreut të Bashkisë.

Në GJKKO do të paraqitet edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë në masë sigurimi paraprak “arrest shtëpie”. Lidhur me këtë çështje është vënë nën hetim dhe deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh kryetare e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të cilën është ngritur një akuzë e veçantë prej pjesës tjetër.

Në njoftim e së hënës thuhej se SPAK ka regjistruar procedimin penal që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Sipas njoftimit, pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme më datë 24.01.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg” për Erion Veliajn si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

SPAK bën me dije GJKKO vendosi për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.

Sipas njoftimit, në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta persona, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.