
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se të gjitha lëvizjet e fundit që po ndodhin në kampin socialist, por sidomos ato në raport me drejtësinë nuk duhet të shqetësojnë askënd.
Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në platformat sociale, Rama tha se: “Partia Socialiste është buja, zhurma, është risia e madhe e të pasurit një sistemi drejtësie që godet persona publik me lidhje politike, me fuqi politike që krijon idenë se këtu të tërë po kalojnë në atë sitë”.
“Të tërë nuk janë njësoj! Unë që jam këtu mund të jem në shumë gjëra i diskutueshëm, i kritikueshëm, por njësoj me këta të tjerët nuk jam, në asnjë aspekt, fare, zero. PS-së nuk duhet t’ja qajë hallin askush sepse është njësoj si t’i qash hallin kalorësit që po i varen këmbët. PS është 800 mijë, në 11 maj do t’i afrohet 1 milion. Pra do të jetë më afër 1 milion se 800 mijë vota dhe PS ka forca të pafundme”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi sërish faktin se gjithçka që po ndodh në Partinë Socialiste është vullnet pikërisht i kësaj force politike.
Rama u ndal edhe te vlerësimi i punës së SPAK, për të cilin tha se e ka mbështetur dhe do ta mbështesë punën e tij.
“Por, puna e SPAK-ut ka dhe probleme që nuk shkojnë dhe për këtë arsye, unë sot e konsideroj të mbyllur fazën e pesë vjetëve “no comment”. Ne do të ndërtojmë një pozicion konstruktiv, do të bëjmë sa më shumë që të jemi në gjendje në kritikë konstruktive për gjërat që nuk shkojnë, por duke e mbështetur pa asnjë rezervë në vijimësi luftën për drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, puna e SPAK nuk është vullnet i Amerikës apo Evropës që e ka mbështetur Shqipërinë, por i Partisë Socialiste të Shqipërisë.
“Amerika mund të ndryshojë qasje. Është komplet e kuptueshme në të drejtën e vet. Këtu qasja nuk ndryshon. Lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë pa kompromis majtas dhe djathtas, kjo është e ndarë dhe e qartë. Kundër korrupsionit dhe ai prezumimi i pafajësisë nuk mund të jetë një rresht aty në fund, që mbasi e shqyen dikë dhe e mbasi e merr pa gjyq nga detyra dhe e çon e mbyll brenda dhe jo nga një detyrë do si do, por nga drejtimi i kryeqytetit që ka një mijë punë çdo ditë, shkruan aty prezumohet i pafajshëm. Këto gjëra janë pak si tepër, do i shikojmë me maturi dhe qetësi”, nënvizoi Rama. /a.g/