
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish ditën e sotme pas arrestimit të tij.
Veliaj shprehet se natën e parë në qeli e ka kaluar pa gjumë në sy, teksa ngre akuza të forta ndaj prokurorit që po heton çështjen e tij. Ai e cilëson prokurorin si pervers, teksa hedh poshtë akuzat se bashkëshortja e tij Arjola Xoxa ka bërë shpenzime të majme në blerje online.
Reagimi i plotë i Erion Veliajt:
Të dashur miq, Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy. I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive.
Ndjesë për çfarë ju kanë dëgjuar veshët dje deri vonë dhe sot që në sabah në ato kanale gjirizi. Por, dua të jini të sigurt se historia që po më tregon mua si një kriminel të korruptuar, i cili ka fshehur pasuri dhe pastruar para bashkë me të shoqen, është e sajuar nga një individ pervers, prokurori i çështjes tonë.
Ai, për shembull, ka shkruar në akt-akuzën haluçinante se ime shoqe ka harxhuar mbi gjysëm milionë euro për blerje online fustanësh dhe bizhuterish. Ky pervers, që më pyeste mua për fustanet e gruas dhe më tregonte gjatë marrjes në pyetje se si shkonte kontrollonte gruan e tij në punë, nuk ka dashur t’ia dijë për shpjegimet e mia dhe të sime shoqeje. Blerjet online janë të gjitha të deklaruara dhe në një shumë disa herë më të vogël, janë bërë për shfaqjet artistike të fondacionit kulturor të sime shoqeje. Faturimi i asaj shume në një akt-akuzë, si një lumë parash i derdhur për luks, është një perversitet kriminal.