
Komisioni i Ligjeve pezulloi shqyrtimin e projektligjit të Paketës së Maleve pas debateve me opozitën, e cila tha se ky draft bie në kundërshtim me rregullat e Kodit Zgjedhor. E gjendur përballë kësaj akuze, qeveria tha se do të kërkojë opinion nga KQZ për ‘Paketën e Maleve’.
Edhe Komisioni i Ekonomisë nuk do ta miratojë ‘Paketën e Maleve’, për pasojë nuk do të miratohet as në seancën plenare të enjten.
Greta Bardeli: Opozita kërkon shtyrjen e shqyrtimit të Paketës së Maleve
Klotilda Bushka: Ta dëgjojmë relatimin, dhe më pas vendosim
Pandeli Majko: Jam dakord me kërkesën e znj. Bardeli, sepse ka nevojë për një diskutim. Ne nuk do ta miratojmë sot.
Greta Bardeli: Nuk kemi pse ta diskutojmë fare, të plotësohet relacioni
Dhurata Çupi: 35 organizata e shoqërisë civile kërkojnë shtyrjen e shqyrtimit të projektligjit për të pasur transparencë. Është ligj me ndikim të drejtpërdrejtë në zgjedhjet e 11 majit.
Petro Koçi: QË të marrim vesh nëse projektligji është në shkelje të kodit zgjedhor, ne duhet ta dëgjojmë një herë. Mos e bëni primitive sjelljen, se ju keni lidhur edhe kontratë me një amerikan për një fushatë modern. Nuk do ta kalojmë sot këtë projektligj.
Damian Gjiknuri: Ka disa ndalime për ligjet që kanë përfitime, ne si deputetë duhet ta dëgjojmë që ta gjykojmë.
Dash Sula: Është në shkelje të Kushtetutës, duhet të mbyllet urgjentisht ky projektligj.
Damian Gjiknuri: Propozoj ta dëgjojmë dhe ti kërkojmë opinion edhe KQZ mbi këtë projektligj.
Klotilda Bushka: Propozojmë ta pezullojmë shqyrtimin e projektligjit, dhe më pas e vendosim të gjithë bashkë.
Projektligji u jep mundësinë të gjithë qytetarëve apo bizneseve që janë posedues faktikë të pronës shtetërore, pra e kanë përdorur si të jenë pronarë, do ju jepet e drejta të fitojnë pronësinë ligjërisht të këtyre pasurive, kundrejt tarifës simbolike 1 euro. Kushti i vetëm është që të vërtetojnë se kanë më shumë se 10 vite që e shfrytëzojnë pronën shtetërore dhe të paraqesin një plan biznesi për ta zhvilluar atë.
Kjo nismë ndërmerret për të fuqizuar ekonomikisht zonat malore dhe për të zhvilluar edhe më shumë turizmin. Kjo nismë merret në kuadër të nismës “Investo në tokën tënde’, një thirrje e drejtuar për emigrantët që të kthehen të investojnë në vend. Nga kjo paketë ligjore planifikohet të jenë 500 përfitues, të cilët do të bëjnë biznes pa taksa për 10 vite, pra përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme, nga TVSH dhe nga tatimi mbi fitimin.
Duke qenë se do të duhet të përmbyllet plotësisht inventarizimi i pronave shtetërore, regjistrimi i tyre në kadastër si dhe përditësimi i inventarizimeve të mëparshme, ky projektligj parashikohet të hyjë në fuqi më 31 dhjetor 2028.