
Fjala e Kryetarit të Bashkisë Shkodër z.Benet Beci në prezantimin e projekteve transformuese për Shkodrën
I nderuar Kryeministër, përfaqësues të Komuniteteve Fetare, dhe qytetarë të Shkodrës,
Sot kemi një ditë të ngjeshur vizitash në terren me Kryeministrin, ku do të shqyrtojmë nga afër një sërë kantieresh transformuese për Shkodrën dhe për të gjithë Qarkun. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të parë progresin që po bëjmë, pas vizitave intensive që kemi pasur edhe më herët.
Me mbështetje të plotë nga qeveria dhe Kryeministri, po hapim një faqe të re për Shkodrën, përmes ndërhyrjeve të menduara mirë në infrastrukturën publike dhe zhvillimin urban. Aktualisht, në Shkodër po punohet në më shumë se 10 kantierë dhe presim të hapim edhe të tjerë së shpejti.
Gjatë këtij takimi, do të prezantojmë disa propozime për projekte të rëndësishme për transformimin urban të Shkodrës, për të cilat kemi punuar me përkushtim.
Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës, i vendosur në qendër të qytetit, në godinën që ka shërbyer si ish-dega e brendshme. Ky vend do të shërbejë si një memorial dinjitoz për të gjithë ata që kanë vuajtur, duke i dhënë qytetit një hapësirë për të kujtuar historinë e tij të vështirë.Gjithashtu, do të kemi një muze për të gjithë vizitorët, ku do të studiohet dhe komunikohet e kaluara jonë në mënyrë intensive. Falenderoj kishën katolike, misionin franceskan dhe motrat klarise për gatishmërinë e tyre për të kontribuar në këtë propozim.
Një tjetër projekt i rëndësishëm është sheshi i Xhamisë Ebu Bekër, që do të krijojë një hapësirë publike dinjitoze për besimtarët dhe qytetarët e Shkodrës. Ky projekt do të kombinojë objektin e kultit me hapësira publike dhe do të sjellë mundësi të reja për zhvillimin e qytetit, përfshirë parkimin nën tokë dhe hapësira tregtare.Dëshiroj të falenderoj Myftininë e Shkodrës për bashkëpunimin në këtë projekt dhe për mundësinë që po na jep të zhvillojmë pronat e komunitetit në funksion të krijimit të hapësirave publike.
Në bashkëpunim me arkitektin dhe tashmë mikun e Shkodrës Jesus Hernandez, jemi të sigurt se edhe në këeto dy projekte, do të krijojmë hapësira të bukura dhe funksionale si në rastin e Marubit, Shirokës dhe në parkun e Hyrjes, duke lënë një gjurmë të qëndrueshme në memorien e qytetit tonë.