
Mbi 153 mijë kërkesa kanë bërë emigrantët shqiptarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 11 majit dhe thuajse të gjitha kërkesat janë shqyrtuar.
Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ, nga 125,477 zgjedhës (unikë) që kanë bërë kërkesë për regjistrim, 97,264 prej tyre ju është miratuar kërkesa, ndërsa 27,892 të tjerëve u është refuzuar.
Por ajo çka shihet si problematikë në procesin e regjistrimit nga vetë KQZ është mungesa e vëmendjes për të ndjekur videot dhe manualet ndihmëse në platformën PER, të cilat ua lehtësojnë procedurën e regjistrimit.
Vetë kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka ndarë në një postim në Facebook, dhjetëra foto nga më të pazakontat që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit kanë ngarkuar në platformë, për të provuar adresën e tyre apo statusin civil.