Në Kuvendin Rinor Kombëtar, Kryeministri Rama ka thënë se brenda mandatit të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë në Shqipëri që do të mbetet pa akses në teknologji. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është ndalur tek disa prej investimeve më të mëdha në fushën dixhitale.

“Nga sot, 100 ditë nuk kam asnjë dyshim se shumica e votuesve të parë, studentëve e të rejave dhe të rinjve do të jetë për t’u ngjitur më lart drejt majës dhe jo për t’u rizhytur në kënetën nga e nxorrëm Shqipërinë. Sot dyert e universitetit nuk hapen me forcën e mikut apo të partisë si deri një dekadë më parë, me meritë përmes një platforme dixhitale për të cilën nuk ka asnjë ankesë të vetme. Sot, Shqipëria nuk është më vendi i analfabetizmit dixhital. Brenda mandatit tonë të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë të Shqipërisë që do të mbetet pa akses në teknologji”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Rama ka dhënë lajmin se qendra dixhitale për fëmijët “TUMO” do të jetë së shpejti dhe në Shkodër dhe Vlorë.

“Piramida e Tiranës ishte një qenef në mes të bulevardit, sot ka një qendër ekselence dixhitale ekselence për fëmijët nga 12 vjeç e të rinjtë deri më 18 vjeç ku mësojmë mbi 1 mijë e 800 nxënës. Qendra quhet TUMO, ka ende vende dhe shpenzimet mbulohen 100% nga Bashkia e Tiranës. Atë qendër do e çojmë së shpejti në Shkodër dhe në Vlorë dhe më pas dhe në Elbasan dhe me radhë. Po aty, sapo ka hapur dyer platforma “Plug and Play” zgjodhën Tiranën për të vendosur njësinë e tyre në të gjithë rajonin. Sa e paimagjinueshme do të ishte kjo jo 100 vjet, por deri disa vite më parë.

Ajo qendër ofron mbështetje këtu pranë shtëpisë, pranë familjes për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të çajnë qiellin e teknologjisë shqiptare. Sot po krijohen kushtet që edhe të tjerë të lënë nam dhe të bënë emër të madh pasi në këtë fushë nuk ka kufi, nuk ka madhësi të vendit, nuk ka asnjëlloj dallimi mes shteteve që ndalon talentet të pushtojnë botën. Tek Piramida nisin regjistrimet për Instucionin Francez të Teknologjisë ku do të marrin mësim 250 studentë çdo vit nga Shtator nga 18 deri në 35 vjeç”, u shpreh Rama.