
Detaje të reja janë zbardhur nga të shtënat me armë një natë më parë në fshatin Gruemirë në Malësi të Madhe. Sipas burimeve, gjithçka ka nisur mëngjesin e 1 shkurtit, kur dy persona të maskuar me motor kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të kamerave të sigurisë së një banese në pronësi të familjes Kurtaj.
Më pas dy autorët, janë larguar dhe në mbrëmje janë rikthyer sërish të armatosur, por u përballën me tre djemtë e familjes Kurtaj, të cilët i pritën në rrugë me një automjet.
Mirsad, Besim dhe Edison Kurtaj u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët, sapo e kuptuan se po ndiqeshin, qëlluan me breshëri në tokë dhe në ajër. Ndjekja zgjati rreth 10 minuta, deri në momentin kur njëri prej autorëve u rrëzua nga motori, por arriti të largohej nëpër fushat e mbjella të fshatit.
Ndërkohë në komunikatën zyrtare të dhënë nga Policia mbrëmjen e djeshme nuk jepen detaje mbi të shtënat, veçse thuhet se u raportua për të shtëna në ajër. Policia ka sekuestruar 4 gëzhoja në cilësinë e provës materiale, ndërsa nuk raportohet për të lënduar.
Policia e Malësisë së Madhe është vënë në ndjekje të autorëve, ndërsa tre djemtë e familjes Kurtaj, në deklaratën e tyre, thanë se nuk kanë dijeni se kush janë agresorët.