
Bekim Balaj është shpallur “Topi i Artë” 2024 dhe “Këpucës së Artë” në kampionatin “Abissnet Superiore”. Me 18 gola në 36 ndeshje gjatë sezonit 2023-2024, Futbollisti i Vllaznisë fitoi çmimin e futbollisti më të mirë të vitit, pas një gare të fortë me Arinaldo Rrapajn, Albano Aleksin dhe Ermir Rashicën.
Çmimin e “Topit të Artë” në Mbrëmjen Gala ia dorëzoi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e uroi Balajn për këtë arritje, ndërsa çmimin e “Këpucës së Artë” ia dorëzoi legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari.
Nga ana e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, përgëzoi FSHF-në për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm dhe shprehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit më të rëndësishëm të mbrëmjes.
Nga femrat, Ezmiralda Franja, mesfushorja e Kombëtares shqiptare dhe Vllaznisë është fituese e “Topit të Artë” 2024. Në garë për këtë çmim tepër të rëndësishëm ishin edhe futbollistet, Xhesika Ndoj (Apolonia), Mesuare Begallo (Gramshi) dhe Vanesa Levendi (Apolonia).
Ermir Rashica, futbollisti i talentuar i Skënderbeut, është shpallur “Talent i Vitit” 2024. Për vajzat, Xhesika Ndoj, futbollistja e talentuar e Apolonisë u shpall fituese e këtij trofeu të veçantë.
Juxhin Xhaja u shpall arbitri më i mirë në 2024, ndërsa Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”. Çmimin e veçantë ia dorëzoi trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, Sevime Gjimshitit, nënës së Berat Gjimshitit, i cili për shkak të angazhimeve me klubin e tij, e kishte të pamundur të ishte i pranishëm.
Një moment i veçantë ishte ndarja e çmimit “Zemër Kuq e Zi” për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Ky çmim prestigjioz, përzgjedhur nga stafi teknik i Kombëtares, nderon shpirtin e tij të jashtëzakonshëm të garës, pasionin e madh për fanellën kuqezi dhe përkushtimin maksimal në çdo ndeshje.
Ky është viti i tretë radhazi që mbahet ky event, ndërsa i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.