Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, merret i pandehur nga SPAK për akuzën “pengime për ekzekutimin e vendimeve të gyjkatës”, për periudhën kur ka ushtruar detyrën si i zgjedhur vendor.
Komunikimi i akuzës iu bë ditën e sotme (21 Janar). Gazetarja Keti Banushi informoi se kjo është hera e 3-të që ish-zyrtari i lartë demokrat thirret në SPAK. Ish-deputeti kishte dhënë shpjegime më herët në lidhje me çështjet që është thirrur, si i kallëzuar për shkelje të ligjit kur ishte kryebashkiak, teksa vetë i ka quajtur “çështje pa interes publik”.
Por sot i është komunikuar edhe akuza, pasi ka qenë i denoncuar nga ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër për shkarkimin në vitin 2022, për shkelje të ligjit.

Spahia ishte në SPAK edhe më 24 Dhjetor 2024, ku për më shumë se një orë e 20 minuta është pyetur. Ai kishte qenë në institucion i thirrur edhe mëngjesin e 2 Tetorit.
Report Tv ka mësuar se arsyeja pse Bardh Spahia është thirrur në Prokurorinë e Posaçme dhe tashmë është marrë i pandehur, është një kallëzim në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër. Akuza zyrtare është “pengime për ekzekutimin e vendimeve të giykatës”, e parashikuar nga Neni 320 i Kodit Penal.
Molla është shkarkuar verën e 2022-shit nga Spahia, i cili vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së, dhe akuzon Spahian se ka shkelur ligjin me këtë shkarkim.