
Kreu i SPAK, Altin Dumani konfirmoi se po kryhen veprime të shumta hetimore sa i takon dosjes së vrasjes së 4 protestuesve para kryeministrisë në protestën e 21 janarit 2011. Në një bashkëbisedim informal me gazetarët, kreu i SPAK tha se hetimet po vijojnë intensivisht dhe pasi të grumbullohen provat do të vijojë dhe përballja.
Pyetje: 21 janari, a është identifikuar emri i ndonjë ish zyrtari të lartë dhe a do të thirren persona të tjerë për tu pyetur?
Altin Dumani: ‘Për pyetjen e parë nuk shprehem. Për të dytën, është kompetence e prokurorit të çështjes për të thirrur persona të ndryshëm. Po bëhen veprime te shumta hetimore. Unë personalisht, preferoj që deshmitarët t’i thërras të fundit, pasi të grumbulloj prova, më pëlqen ti ballafaqoj’
SPAK vijon hetimet për dosjen e “21 janarit” prej korrikut të 2024 në zbatim të një vendimit të Gjykatës së Lartë, që urdhëronte Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit, zyrtarë nën juridiksionin e SPAK.
Lidhur për vendimin e Apelit të GJKKO-së që ndryshoi masën e sigurisë për Berishën nga ‘arrest shtëpie’ në ‘detyrim me paraqitje’ Dumani tha se respekton vendimin e gjykatave por kujtoi se gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë veprimeve të tyre.
Vendimi i Apelit për Berishën. Si ndiheni si jurist? Mund të përsëritet ky skenar edhe për Ilir Metën?
Nuk kemi ndjeshmëri. Respektojmë vendimin e gjykatave. Jemi zbatues të ligjit. Kur nuk kënaqemi, ushtrojmë të drejtën e ankimimit. Për Ilir Metën, hetimi po vijon. Kërkesat e SPAK janë gjetur të drejta nga shkallët e gjyqësorit dhe Kushtetuesja i dha fundit të gjithave.
SkyECC dhe politikanët
Sa i përket aplikacionit Sky, Dumani thotë se u zbulua një politikan përdorues i tij si Jurgis Çyrbja.
Pyetje: Pse nuk është identifikuar në Shqipëri ndonjë politikan i implikuar?
Altin Dumani: ‘Nuk është e vërtetë, një ish deputet Jurgis Çyrbja është në qeli. Ne nuk kemi të gjithë databasat e aplikacionit Sky ec. Nga ato informacione që kanë ardhur, ka rezultuar ajo lidhje që është bërë publike. SPAK është i vendosur për përmbajtjen e Sky, kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi pretendimet e një personi që është marrë i pandehur( Pëllumb Gjoka, dosja Metamorfoza). Ne jemi të lirë të ushtrojmë ndjekje penale. SPAK është një nga kontribuesit më të mëdhenj me institucionet e tjera ligjzbatuese, sa i përket këtij aplikacioni. Kur kemi patur prova, apo nëse do kemi do godasin çdo nivel politikani. SPAK ushtron ndjekjen penale për këdo.’
Po prokurorë në SkyECC?
Pyetje: A kanë dalë koleget tuaj ne aplikacionin Sky dhe nese po, a i keni hetuar?
Dumani: Kur dy persona flasin për një të tretë, jemi kujdesur të gjejmë prova. Çdo indicie që ka dalë, një për një e kemi verifikuar. I kemi marrë në pyetje të gjithë.
Brenda janarit strategjia për krimin zgjedhor
Dumani thekson se brenda këtij muaji do publikohet strategjia e institucionit që drejton për krimin zgjedhor.
Brenda janarit do të publikojmë strategjinë për krimin zgjedhor. Pothuajse ka përfunduar. Deri në fund te janarit shpresojmë të miratohet. Do kemi dhe urdhër për zbatim.
Hetimet për Veliajn
Ndërsa për Veliajn, deri më tani thotë Dumani janë bërë vetëm kontrolle paraprake që shërbejnë si mjetet për gjetjen e provave
Pyetje: Po hetohen veprat penale, a do regjistrohet emër konkret për të apo për familjaret?
Dumani: ‘Çështja është në fazën e hetimit paraprak. Kontrollet që janë bërë janë mjet për gjetjen e provës.’
Koncesionet në shëndetësi?
Pyetje: Keni mbyllur koncesionin e Sterilizimit, ka mbetur koncesioni i Check up dhe I laboratorëve. Mund të kemi nje afat se kur SPAK mund të mbyllen hetimet?
Dumani- Janë prokurorët ata që janë në kontakt me çështjet. Janë në hetim, e keni këtë informacion.