
Ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, merret i pandehur nga SPAK për shpërdorim të detyrës, për periudhën kur ka ushtruar detyrën si i zgjedhur vendor.
Komunikimi i akuzës iu bë ditën e sotme (21 Janar). Gazetarja Keti Banushi informoi se kjo është hera e 3-të që ish-zyrtari i lartë demokrat thirret në SPAK. Ish-deputeti kishte dhënë shpjegime më herët në lidhje me çështjet që është thirrur, si i kallëzuar për shpërdorimin e detyrës kur ishte kryebashkiak, duke i quajtur “çështje pa interes publik”.
Por sot i është komunikuar edhe akuza, pasi ka qenë i denoncuar nga ish-drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër për shkarkimin në vitin 2022, për shkelje të ligjit.
Spahia ishte në SPAK edhe më 24 Dhjetor 2024, ku për më shumë se një orë e 20 minuta është pyetur. Ai kishte qenë në institucion i thirrur edhe mëngjesin e 2 Tetorit.
Report Tv ka mësuar se arsyeja pse Bardh Spahia është thirrur në Prokurorinë e Posaçme dhe tashmë është marrë i pandehur, është një kallëzim për shpërdorim detyre në vitin 2022 nga Mark Molla, ish-drejtues i Ujësjellës-Kanalizimeve në Shkodër.
Molla është shkarkuar verën e 2022-shit nga Spahia, i cili vendosi drejtor një anëtar të FRPD-së, dhe akuzon Spahian se ka shkelur ligjin me këtë shkarkim.