Është shtyrë sërish seanca gjyqësore në çështjen e padisë për shpifje të ngritur nga ish-drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sula, kundër deputetit Gazment Bardhi. Vetë Bardhi nuk është i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokatët e tij ndërsa ish-drejtori Sula ishte në seancë, informon gazetarja Keti Banushi.
Në nisje të seancës avokati i Edmond Sulës u shpreh se klienti i tij nuk kërkon dëmshpërblim por vetëm dënimin e Bardhit, pasi i ka dëmtuar imazhin për shkak të fyerjes së bërë botërisht.
‘Deklaroj se tërhiqen nga kerkesa për dëmshpërblim për dëmin e shkaktuar, por kërkojnë vetëm dënimin e të akuzuarit Gazmend Bardhi për veprat penale të fyerjes dhe shpifjes së bërë botërisht’, thotë avokati

Seanca e radhës u la për datën 30 janar, në ora 09:00.
Padia ka si objekt deklaratat e bëra nga Bardhi gjatë një interpelance më 12 shtator 2024, ku ai pretendoi se Edmond Sula ishte emëruar nga grupe të strukturuara kriminale dhe u shërbente atyre. Këto deklarata u transmetuan gjerësisht në media dhe, sipas mbrojtjes së Sulës, kanë dëmtuar rëndë karrierën e tij 28-vjeçare në polici, si dhe kanë shkaktuar pasoja negative për familjen e tij.
Në seancën e parë, të mbajtur më 13 janar 2025, Edmond Sula ishte i pranishëm, ndërsa Gazment Bardhi u përfaqësua nga avokatët e tij, Marash Logu dhe Ledio Braho. Avokati Logu deklaroi se Bardhi nuk e kishte përmendur personalisht Sulën, por i referohej policisë në përgjithësi. Nga ana tjetër, mbrojtja e Sulës theksoi se materialet e përmendura nga Bardhi i përkisnin periudhës 2019-2020, tre vite para se Sula të emërohej në detyrën e tij aktuale.
Seanca e sotme pritet të vazhdojë me shqyrtimin e provave dhe dëgjimin e palëve të përfshira në këtë çështje.