Superliga shqiptare e futbollit vijon me ndeshjet e javës së 21. Këtë të diel te fitoret në udhëtim kanë dalë Vllaznia dhe Partizani, me dy ekipet që ndajnë kreun e renditjes me pikë të barabarta. Zhgënjim për korçarët e Ernest Gjokës që shohin fundin e tabelës, ndërsa raundi i 21-të do mbyllet sot në 19:30 me ndeshjen Dinamo – AF Elbasani.
Në stadiumin e Korçës vendasit e Skënderbeut u mposhtën 0-4 nga Vllaznia. Shkodranët iu falën formës së mirë të sulmuesit Bekim Balaj i cili realizoi tre gola në të ftohtin e juglindjes. Ish-sulmuesi i Kombëtares zhbllokoi gjithçka pas 25 minutave lojë nga pika e bardhë e penalltisë, ndërsa dyfishoi në të 62 minutë. Më pas ishte radha e Esat Malës për golin e radhës, para se Balaj në shtesë të “vuloste” ndeshjen në 0-4.