Ish-futbollisti i Kombëtares dhe i disa klubeve në Shqipëri, “Nderi i Kombit” Sabah Bizi mbylli sytë këtë të enjte në Shkodër në moshën 77-vjeçare. I spikatur si mesfushor, Bizi ishte pjesë e asaj kategorie futbollistësh që të bënte për vete me forcën dhe elegantën në mendim e këmbë, që përkthehej në siguri për shokët e skuadrës.

Në nderim të figurës së tij, stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër hapi dyert e mortit duke pritur këtë të premte qindra e qindra qytetarë dhe tifozë të Vllaznisë e jo vetëm, që këtë herë i madhi Bizi i mblodhi për herë të fundit, si për të shijuar “lojën finale” në fushën që la talentin dhe djersën.

Pjesë e homazheve ishin figurat më të larta politike dhe publike në Shkodër, ish-futbollistë, futbollistë dhe drejtues klubesh që shprehën konsideratat për një emër që ishte i lindur për futbollin.

Në nderim të tij gjatë fundjavës ndeshjet e kampionatit shqiptar do fillojnë me një minutë heshtje, teksa ish-klubet e tij të Vllaznisë dhe Partizanit kanë konfirmuar se do luajnë me shiritin e zi në krah.

Kush ishte Sabah Bizi

I lindur më 26 janar 1948 në Shkodër, Bizi spikati që në hapat e tij të parë në futboll. Ai u bë pjesë e skuadrës së parë të Vllaznisë që në moshën 17-vjeçare dhe luajti me fanellën e saj deri në 1968- ën.

Më pas ish-mesfushori kaloi te Partizani, pasi u transferua në Tiranë për të kryer shërbimin ushtarak. Ai qëndroi 3 vjet me klubin e kuq dhe në vitin 1971 fitoi titullin kampion. Dashuria e shkodranëve për një nga idhujt e tyre dhe po ashtu dëshira e vetë Bizit ishte që të rikthehej te Vllaznia.

E famshme është historia e punëtorëve të hidrocentralit të Vau të Dejës, të cilët u vunë si “kusht” drejtuesve politikë të kohës që të rikthenin Sabah Bizin te Vllaznia, në mënyrë që punët të kryheshin në kohë. Kërkesa u plotësua dhe epoka “Bizi 2″ te Vllaznia është më e suksesshmja në historinë e futbollit shkodran.

Me fanellën kuqeblu u shpall 3 herë kampion i Shqipërisë, në vitet 1972, 1974 dhe 1978. Kjo periudhë e lavdishme e shndërroi në një legjendë. Në karrierë, Bizi ka fituar edhe një Kupë të Shqipërisë me Vllazninë në 1972-shin. Këtë vit shkodranët u bënë skuadra e parë në historinë e futbollit shqiptar që fitonin të dy trofetë brenda një sezoni.

E pasur është historia dhe karriera e Sabah Bizit edhe me Kombëtaren shqiptare, ku ka luajtur që në moshën 19-vjeçare. Me fanellën kuqezi numëron 15 ndeshje dhe një gol të shënuar në periudhën 1969-1976.

Vlen të theksohet se Bizi ka qenë pjesë e Partizanit në vitin 1970, me të kuqtë që për herë të parë në histori fitonin një kupë ndërkombëtare duke u shpallur trimfues të “Kupës Ballkanike”.

Vlerësimet

Sabah Bizi ka qenë një nga personazhet më të vlerësuara në futbollin tonë. Ai është nderuar me titullin “Nderi i Kombit”. Po ashtu, në një anketë për vlerësimin e futbollistëve të shekullit të kaluar në Shqipëri, Sabah Bizi është renditur në vend të dytë. Përpara tij ka dalë një tjetër emër i madh, siç është Panajot Pano.