Zbardhen te tjera detaje nga futja ne kurth e Ramazan Matajt nga familjaret Hasaj, te kamufluar pas profilit te rreme te nje vajze per ta nxjerre ne prite, ku dhe e ekzekutuan.

Gazetarja Anila Hoxha rrëfeu detaje nga dosja e vrasjes së Ramazan Matajt në Shkodër..

Ajo tregoi në emisionin ”Top Story” bisedën e fundit mes viktimës dhe babait të tij.

Në telefonin e viktimës u gjet gjithashtu edhe biseda në Instagram me autorin, i cili u shtir si një vajzë për ta nxjerrë në pritë dhe vrarë më pas me breshëri arme.

Babai: Pse kaq vonë mor bir?

Ramazan Mataj: Lam takim për t’u njohur me një vajzë, se kam qëllime serioze, ajo do të dalë me një shoqe.

Autori i kamufluar si një vajzë: Nëse nuk beson mos më shkruaj, sonte ke rastin shi është duke rënë, bukur do ishte.

Arjon dhe Klisman Hasaj janë dy vëllezërit të dyshuar si autor të vrasjes së 33 vjeçarit Ramazan Mataj, ngjarje e ndodhur në fshatin Dragoç të Postribës më 4 janar 2025.

Dy vëllezërit në seancë gjyqësore nuk kanë deklaruar asgjë. Ndërsa avokati mbrojtës i tyre ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Klisman Hasaj, ndërsa për Arjon Hasaj arrest me burg, pasi nga akt-ekspertini i kryer nga grupi hetimor është çështje e mbyllur dhe faktohen plotësisht gjithë dinamika e ngjarjes dhe se organizator dhe autor i vrasjes është Arjon Hasaj, ndërsa vëllai i tij nuk ka qenë fare i përfshirë në ngjarje.

Nga të dhënat e akt-ekspertimit balistik të përfunduara rezulton se është e njëjta armë e gjetur në oborrin e shtëpisë me të cilën është qëlluar për vdekje Ramazan Mataj. Gjithashtu janë zbërthyer edhe telefonat e Ramazan Mataj dhe Arjon Hasaj si dhe i Klisman Hasaj ku ky i fundit rezulton të mos ketë dijeni fare për ngjarjen dhe planin e vëllait të tij për të eliminuar Ramazan Mataj. Pranë gjykatës nuk kishte asnjë familjar të vëllezërve Hasaj pasi mësohet se tashmë ata janë të ngujuar për shkak të frikës nga gjakmarrja.