
NJERUI DHE QYTETI
(Requiem për Sabah BIZIN)
Të gjitha qytetet do të ishin njëlloj, po të mos kishin pak individë që bëjnë diferencën.
Ka njerëz që janë bekuar nga fati të mbartin aromën, hijen, pigmentin e vendlindjes; melodinë, sharmin dhe jehet e një qyteti.
Njiky ishte Sabah Bizi!
Sabahi ishte një skifter tekanjoz i Shkodrës së vet simpatike. Një albatros vetmitar, një nga ata shpendët e vetmuar që nuk jetojnë në tufa as në turma. Një profil i heshtur, i zgjuar, përcaktues për ekipin e “Vllaznisë”, por jetëdhënës e frymëzues për disa brezni sportistësh e sportdashësish. Në një vështrim kontrasti, Sabahi ishte i pabindur, i pakontrollueshëm,i panegociueshëm, elegant në çdo rol; epigon i çdo të riu shkodran e shqiptar që aspiroi të bëhej sportist, apo mbeti i dashuruar përjetësisht ndaj sportit magjik të futbollit. Indiferent ndaj përditshmërisë, dukej sikur jetonte me dashje një mënjanim asketik. Profil i pazakontë! E kujtoj në 55-vjetorin e tij në festimin në mjediset e “Rozafës”. Një kremtim madhështor me pjesëmarrjen e gjithë elitës sportive të kombit shqiptar. E ai, gati i padukshëm në prezencën e tij. Si gjithmonë. Si sot që fluturon madhërishëm drej përjetësisë.
Një profil tepër njerëzor, tepër shkodran! I hajthëm në dukje, i hekurt në fizik! Impostimi i tij në fushë ishte më tepër se i një lojtari të shkëlqyer. Ishte i një strategu, i një organizatori që sheh çdo vendosje provizore të ekipit dhe parashikon çdo dinamikë të zhvendosjes së hartës së lojës. Në trurin e tij mbivendoseshin dhjetëra skema loje dhe çdo shërbim i tij përbënte një kreativitet.
Sabahi nuk i ngjante askujt, por çdo sportist e kishte ëndërr t’i ngjante atij. Edhe në jetën e tij në kufijtë ekstremë të thjeshtësisë, ishte interesant. Jeta e tij e thjeshtë ishte më madhështore se jeta e çdo pasunari. Dilte çdo ditë nga Ura e Bunës me shoqen e tij të fisme të jetës. Ky gladiator i vjetër kishte një ecje që nuk ia shihje askujt. Një ecje prepotente, fisnike, rebele dhe tepër djaloshare. Hapat e tij të ritmuar, paraqitnin hijeshinë e lëvizjeve të një sportisti, gjeni i të cilit nuk vdes kurrë. Hapa krenarë, tekanjozë, si të një dreri. Shpirti i një burri të përjetshëm!
I përjetshëm qoftë kujtimi i këtij biri të çmuar të kombit shqiptar dhe imazhi i tij qoftë frymëzues për brezat!
Me respekt të thellë,
Zija Vukaj