
Shkodër
Vazhdon të ketë prezencë bore në zonën e Qafë Thores dhe në Theth, një nga pikat malore më të thella. Megjithatë kompanitë kontraktore kanë punuar gjithë natën për të mbajtur aksin të kalueshëm. Ka prani të ngricave dhe kërkohet kujdes nga shoferët. Në Bashkinë Shkodër vijon era e fortë dhe ka problematika me furnizimin me energji elektrike në Shalë, Pult e Guri i Zi. Aksi rrugor Kir-Qosh është i bllokuar. Nga Malësia e Madhe nuk ka problematika. Në Razëm nuk ka pasur fare reshje dëbore. Në Vaun e Dejës ka mungesë të energjisë elektrike në disa njësi administrative. Edhe atje vijojnë erërat e forta. Fushë Arrëzi është i pakalueshëm pasi rruga nacionale është e bllokuar si pasojë e dëborës. Ndërkohë në Pukë nuk ka problematika. “Ka reshje intensive të dëborës dhe firmat kontraktuese dhe OSHEE ndodhen në terren”, tha gazetarja Emi Kalaja.
Tiranë
Edhe në kryeqytet reshjet e shiut kanë qenë të dendura, ndërsa në Dajt e Shëngjergj ka patur dëborë. Në disa zona, kryesisht të malësisë së Tiranës, ka patur erë të fortë. Sipas Emergjencave Civile ka patur rënie të pemëve mbrëmjen e kaluar në zonën e Mulletit, zonën e Dajtit, po ashtu edhe dy në kryeqytet. Njëra prej tyre ka rënë në një automjet duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
“Ekipet e emergjencave të bashkisë kanë marrë masat dhe kanë pastruar rrugët apo zonat ku kanë rënë pemët dhe gjërat i janë kthyer normalitetit”, tha gazetari Maksi Rama. Në Dajt ka prezencë të dëborës dhe ngricave për shkak të reshjeve të ditës së shkuar. Është dashur ndërhyrja e borëpastrueseve që kanë hedhur edhe kripë në këto zona për të vijuar qarkullimin normal. Momentalisht nuk ka më reshje.
Gri në Tiranë
Dibër
Gjatë orëve të para të mëngjesit, reshjet e dëborës janë dobësuar. Intensiteti i tyre ka rënë ç’ka ka bërë që u ka dhënë mundësi kompanive kontraktore që me mjetet e tyre të ndërhyjnë në pothuajse të gjitha segmentet rrugore. Është bërë hapja dhe kriposja e pjesëve kryesore të rrugëve. Në aksin nacional Peshkopi-Tiranë, kalimi bëhet pa probleme nga Peshkopia deri në Fushë Bulqizë. Nga Fushë Bulqiza deri në Planin e Bardhë vijon të ketë probleme për shkak të erës së fortë që fryn dhe sjell dëborë në trupin e rrugës. Vijon kalimi në aksin e vjetër nga Klosi, Burreli dhe më pas në Milot. Sa i përket bypass-it të Murrizit, vijon të jetë i bllokuar. Po punojnë tre mjete borëpastruese për hapjen dhe kriposjen e aksit me qëllim hapjen e saj rreth orëve të drekës. Kjo rrugë kalon në një lartësi mbi 1200 metra dhe trashësia e borës atje është rreth 60 centimetra.
Aksi Peshkopi-Kukës është i kalueshëm me zinxhirë. Ka probleme herë pas here në Njësinë Administrative Kala e Dodës pasi dhe aty fryn erë e madhe dhe ka prezencë të madhe në trupin e rrugës. Aksi Peshkopi-Librazhd është i kalueshëm me zinxhirë. Është punuar gjithë natës me disa mjete borëpastruese dhe është bërë i mundur kalimi, por sërish duhet të përdoren zinxhirët në fshatrat e Selishtës, Lurës, një pjesë e fshatrave të Kalasë së Dodës, Ostren, Martanesh në Bulqizë dhe Xibër e Lis në Mat. Ka patur problematika edhe me mungesën e energjisë elektrike në Bulqizë. Sa i përket Dibrës nuk ka patur mungesa të energjisë elektrike.