Kryeministri Rama la të kuptohet se në zgjedhjet e 11 Majit 2025 do të kandidojë në Shkodër. I pyetur nga gazetarët në konferencën e fundvitit se në cilin nga qarqet do të kandidojë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, Rama tha se kishte një thirrje gjaku që të kandidonte në Shkodër.

“S’kanë asnjë relevancë këto. Unë jam praktikisht deputet i gjithë Shqipërisë, në një kuptim, kështu që kush zgjedh PS zgjedh edhe emrin tim aty në një kuptim.

Kështu që detyrimi është për të gjithë, pastaj në Vlorë, edhe në Durrës, është shtuar edhe thirrja e gjakut, kam edhe një thirrje nga Shkodra, por nuk e di. Sinqerisht nuk e di”, deklaroi Rama.

Shkodra është një nga qytetet ku fitoren e Partisë Socialiste e garanton banda e Bajrave, që në zgjedhjet e kaluara lokale u filmuan duke patrulluar me makina të blinduara përgjatë rrugëve të Shkodrës nga njëra qendër votimi në tjetrën. Fushata e 11 majit në Shkodër është paraprirë nga masakra ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe cifti Bashkim dhe Flutura Basha. Opozita e denoncoi ekzekutimin si një vrasje politike e organizuar nga bandat pranë Partisë Socialiste.