Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar në lidhje me denoncimin në media të një rasti të dyshuar keqmenaxhimi në Teatrin Kombëtar, institucion i cili drejtohet nga Altin Basha.
Pas kërkesës së mediave për reagim, MEKI bën me dije se ka ngritur një grup pune i cili do të inspektojë situatën, ndërsa është theksuar se në fund të procesit do të merren masat ligjore të nevojshme.
Reagimi:
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka ndjekur me vëmendje, sikurse me shqetësim, zhvillimet e fundit mbi kronikat e transmetuara nga një emision investigativ lidhur me menaxhimin në Teatrin Kombëtar.
Për të garantuar transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale, Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, më datë 23.12.2024 ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune për të inspektuar situatën dhe aludimet e ngritura lidhur me disa aspekte të produksionit në Teatrin Kombëtar.
Pas shqyrtimit me detaje të të gjithë dokumentacionit dhe fakteve të raportuara, do të vlerësohet përputhshmëria dhe do të merren masat ligjore të nevojshme.