Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shpemsi Prençi, ka bërë një deklaratë të fortë në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, ku ka folur për lidhjet e thella mes politikës dhe krimit në Shqipëri, duke theksuar se përgjimet e Sky ECC mund të zbulojnë shumë më tepër se sa është raportuar deri tani.

Në fjalën e tij, Prençi u shpreh se nga të dhënat e siguruara nga dekriptimi i bisedave në Sky ECC, nuk ka asnjë lidhje me gjeneratën e vjetër të Policisë së Shtetit, por vetëm me drejtues të rinj të policisë.

Prençi përmendi gjithashtu një “amalgamë” të frikshme të botës kriminale të përzier me politikanë, drejtues të prokurorisë, policisë dhe pushtetarë të tjerë. Ai paralajmëroi se në ditët në vijim mund të dalin emra të njohur nga politika shqiptare, duke përfshirë deputetë, ministra dhe kryetarë bashkish, të cilët sipas tij, janë përfshirë në skandale të rënda kriminale.

Në lidhje me SPAK, Prençi u shpreh me njëfarë skepticizmi, duke shtuar se ka pasur selektivitet në ndjekjen e disa dosjeve. Megjithatë, ai shprehu optimizëm të matur për punën e këtij institucioni, duke theksuar se është tepër i rëndësishëm shpartallimi i lidhjeve të krimit me politikën, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e ligjit dhe rendit në Shqipëri.

“Asnjë nga gjenerata e vjetër e Policisë së Shtetit nuk ekziston te Sky ECC, aty është vetëm gjenerata e re, të cilët na kanë dalë përgjime. Unë personalisht dhe kolegët e mi të gjeneratash time nuk ja kanë lejuar vetes të futen në botën e komunikimit me botën kriminale. Kjo gjenerata e re është bërë pjesë me botën e krimit.

Këtu është bërë një amalgamë e botës së krimit të përzier me politikanë, drejtues prokurorie, policie, drejtues pushteti, deputetë, kryetarë bashkish, ne do të habitemi në ditët në vijim kur të shohim sesa politikanë kanë për të dalë te Sky ECC”

Unë jam i bindur që kësaj gjëje do t’i shkojnë deri në fund. Nuk mundet Gjykata Kushtetuese, ato nuk janë përgjime por dekriptime bisedash. Do të dalin kryetarë bashkisë, ministra e deputetë dhe rolet e tyre decizive në veprimtarive kriminale.

Unë e shoh pak me skepticizëm dhe me selektivitet punën e SPAK, POR JAM tepër optimist që SPAK ka bërë të bërë një punë të shkëlqyer në shpartallimin e politikës së inkriminuar në Shqipëri”, tha Prençi në “Off the Record”. (A2 Televizion)