Partia Demokratike ka shprehur ditën e sotme mosdakordësi për implementimin e numërimit dhe votimit elektronik në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në një letër drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PD argumenton se nuk e mbështet këtë nismë, pasi ende nuk është bërë transparencë lidhur me problematikat që u hasën në zgjedhjet e kaluara gjatë votimit dhe numërimit elektronik.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka propozuar dy qarqet, Elbasan dhe Durrës për të implikuar numërimin elektronik, ndërsa u kërkoi një mendim edhe 10 partive politike në vend.
Letra e plotë:
Në përgjigje të shkresës tuaj me nr. 2948 prot. datë 11.10.2024 me anë të së cilës ju kërkoni mendim mbi mundësinë e shtrirjes së projektit të votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, ju bëjmë me dije se:
Procesi i votimit dhe numërimit elektronik është propozuar nga Partia Demokratike dhe opozita e sotme në vitin 2012, ku pavarësisht konsensusit politik në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe parashikimit ligjor të mëpasshëm, për ta pilotuar këtë projekt në zgjedhjet e vitit 2013, kjo përpjekje u pamundësua nga opozita e asaj kohe Partia Socialiste e Shqipërisë, sot mazhorancë qeverisëse.
Platforma e Opozitës për Çlirimin e Zgjedhjeve, e vitit 2016, e vendosi përsëri si prioritet procesin e votimit dhe numërimit elektronik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të platformës dhe si një hap cilësor drejt qëllimit të organizimit të zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare.
Ky vizion dhe këmbëngulje e Partisë Demokratike, solli në implementimin e pjesshëm të këtij projekti në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021 në njësinë administrative nr. 10, Bashkia Tiranë dhe në bashkitë Elbasan dhe Kamzë në zgjedhjet e datës 14 maj 2023.
Pavarësisht kësaj, implementimi i pjesshëm i këtij projekti, krahas disa avantazheve dhe suksesit të pjesshëm solli edhe një seri problematikash të cilat jo vetëm e cënuan rëndë procesin, por edhe minuan në mënyrë serioze besimin e publikut dhe të forcave politike në të.
Pamjet filmike të operatorëve të sistemit, të cilët përkundër kujdesit për mbarëvajtjen teknike të makinerive të votimit elektronik shkelën ligjin për të mbivendosur interesin partiak, duke votuar vetë në emër dhe për llogari të zgjedhësve të cilët nuk ishin aty ndërkohë që kjo përbën shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vepër penale, dëshmojnë veprime që u konsuamuan në prezencë të komisioneve të qendrave të votimit dhe ende sot mbeten të pahetuara si nga ana juaj ashtu edhe nga ana e organeve të drejtësisë të cilët duhet të vigjëlojnë mbi procesin zgjedhor.
Mungesa në zbatim e garancive që ligji u jep zgjedhësve për të verifikuar votën dhe anuluar atë, mungesa e mekanizmave që garantojnë verifikim të thelluar dhe transparencë, gjithashtu minuan besimin e zgjedhësve, subjekteve zgjedhore dhe publikut në një proces që kërkon besim.
Për sa më sipër, në kushtet kur
1-ende nuk është bërë një transparencë e plotë lidhur me problematikat që cilat kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet pararendëse, në mungesë të mekanizmave efikase të adresimit të problematikave të konstatuara,
2-si dhe në presionin e një kohe të pamjaftueshme për një implementim efikas të kësaj teknologjie në zgjedhjet e ardhshme,
3-shprehim mosdakordësinë tonë lidhur me propozimin tuaj për implementimin e votimit elektronik në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2025.