Policia tashmë ka nisur të pozicionohet para kryeministrisë ku në orën 18:00 pritet të nisë protesta kombëtare e thirrur nga opozita. Protesta do të nisë para Kryeministrisë, e më pas mund të të përhapet në të gjitha rrugët e kryeqytetit.
Veç forcave të policisë pranë godinës janë stacionuar dhe autobote me ujë.Dyert e kryeministrisë janë veshur me veshje metalike. Kamerat e sigurisë me rezolucion të lartë janë shtuar, ndërsa shtyllat janë lyer me graso në mënyrë që të bëhet e pamundur për protestuesit të ngjiten.
Kryetari i PD-së Sali Berisha e ka cilësuar fillimi i mosbindjes civile pa kthim deri në atë që e quan krijimi i qeverisë teknike dhe shkuarja drejt zgjedhjeve me qeveri teknike dhe pa Edi Ramën kryeministër.
Në shkresën që Partia Demokratike i ka dërguar policisë, i kërkon 4 orë leje për tubim, nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Në shkresë kërkohet vetëm leje për zhvillimin e protestës para kryeministrisë, por jo itenerari që do të ndjekin.
Mbi 1000 efektivë, mes tyre dhe speciale e forcat shqiponja priten të angazhohen për të garantuar rendin e sigurinë gjatë protestës së opozitës. Ndërkohë pas orës 18:00 do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevard kryesor. Në varësi të zhvillimit të tubimit mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve dhe disa akse rrugore që lidhen me të.
Protesta do të nisë para godinës së kryeministrisë e më pas protestuesit do të shpërndahen nëpër rrugët e Tiranës. Për këtë policia ka marrë masa për bllokimin e 15 akseve kryesore vec bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza” dhe në rrugët: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Sipas njoftimet, krahas bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, pjesë e rrugëve që do të bllokohen janë edhe “Rruga e Elbasanit”, kryqëzimi i “21 dhjetorit”, rreth-rrotullimi i “Zogut të Zi”, rruga “Dritan Hoxha” dhe zona e “Pallatit me Shigjeta”, së bashku me akset rrugore pranë tyre.
Protesta nuk do të ketë fjalime politike ndërsa kryetari i PD-së, Sali Berisha do e ndjekë nga shtëpia ku ndodhet në ‘arrest shtëpie’ dhe është marrë i pandehur nga SPAK për akuzën ‘korrupsion pasiv’ për aferën e privatizimit të kompleksit ‘Partizani’
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. Ndërsa apelon pjesëmarrësit të distancohen nga aktet e dhunës.