Thonë se historia përsëritet, por vetëm për të keq”. M’u kujtua sot kjo aksiomë e at Zef Pllumit, ndërsa po qëndroja përpara memorialit që përkujton Kryengritjen e Postribës.
Si kryengritja e parë antikomuniste në Shqipëri, mbetet gjithmonë frymëzim për këdo që e ka të shenjtë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Pas 78 vitesh të aktit kurajoz të burrave të Postribës, Shkodrës e Malësisë për të mos iu nënshtruar terrorit të diktaturës komuniste, historia jonë është përsëritur.
Ne kemi një diktaturë tjetër, shumë më të kamufluar, shumë më të sofistikuar, por që në thelb mbetet e njëjta: po aq injorante, antishqiptare dhe e frymëzuar nga e njëjta ndjenjë antiliri, ku njerëzit nuk zgjedhin dot të lirë qeverinë e vet. Njerëzit nuk begatojnë dot me punën e tyre të ndershme. Njerëzit ikin nga sytë këmbët si prej një hordhie pushtuese.
Me modelin e martirëve të kryengritjes së Postribës, ne mund t’ia dalim që të ndryshojmë historinë.
E keqja mund të mposhtet.
Le të frymëzohemi nga burrat trima të Shkodrës, Postribës e Malësisë! Le të drejtohemi nga aspiratat tona të pashtypshme për liri dhe jetë me dinjitet!
Le të mbajmë ndezur shpresën dhe revoltën nga flaka e lirisë!