Profesori i njohur i kriminalistikës, Ervin Karamuço dhe avokati Arben Llangozi kanë komentuar ndryshimet në Policisë e Shtetit. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit janë larguar nga detyra, për t’i hapur rrugë reformimit të Policisë së Shtetit. Ripërtëritjen në radhët e policisë e njoftoi të premten që shkoi ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili kishte thirrur në një takim të gjithë vartësit e tij. Por sa i takon kësaj ngjarje, kanë bërë disa komente edhe profesor Karamuço dhe zoti Llangozi.
Reagimi i profesor Karamuços
Fillimisht ka qenë profesor Karamuço, i cili teksa ishte i ftuara në një studio televizive, solli në vëmendje një takim informal që ai ka pasur me ish-ministrin Taulant Balla, me të cilin ka diskutuar për ndryshimet në kupolën e Policisë së Shtetit. Ky i fundit sipas Karamuços, është shprehur se me ndryshimin e legjislacionit të Policisë së Shtetit, do priteshin edhe ndryshime në strukturat drejtuese, siç ndodhi me ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun.
“Kam patur një takim informal me ish-ministrin Balla dhe e kam pyetur se çfarë do bënte me ndryshimet në Polici, më tha që i kishte duart e lidhura, deri në zbatimin e ligjit të ri. Pastaj në zbatim të tij, do fillojnë ndryshimet, siç bëri edhe ministri aktual. Kjo është stafetë, pra mua më lë të vazhdoj zbatimin e ligjit, ndërkohë që stafeta është që kemi arritur në një pikë me 40 persona në moshë të thyer dhe po kalojmë në diktimin e ligjit me drejtimin nga një grup me njerëz në moshë të re”, deklaroi ai.
Sipas Karamuços, këto ndryshime në ligj nxisin shpresën, që për shkak të kualifikimit dhe moshës së re, shumë punonjës të Policisë së Shtetit të kenë mundësinë që të provojnë veten përmes një fryme politike të përkthyer në ligj. Ndërkohë eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço ka bërë një paralajmërim të fortë sa i takon personave të afërt të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakut. Ai tha se për ta, do të zbulohet fakte të reja në javët në vijim. Këto fakte të reja, sipas Karamuços janë zbulimet e lidhjeve të t tyre me persona të përfshirë me organizatat kriminale, për të cilët Rrumbullaku do duhej të mbante përgjegjësi përpara se t’i afronte në strukturat e Policisë së Shtetit. “Zoti Rrumbullaku pati një avantazh kur erdhi në krye të detyrës, ishte drejtor i AMP-së, por ajo që ndodhi më pas ishte që disa prej emërimeve të tij të para, njerëz që i promovoi, ikën në burg. Ka një përgjegjshmëri shumë të madhe nëse mban në krah njerëz të inkriminuar. Nuk dyshoj që ai të ketë pasur kontakte me krimin, por ashtu siç po del dhe do dalë në javët në vijim njerëz afër tij janë ende të lidhur me krimin e organizuar”, nënvizoi profesor Karamuço.
Ja reagimi i avokat Arben Llangozi
Nga ana tjetër, ministri Ervin Hoxha mbajti të premten që shkoi një takim me drejtuesit e lartë të policisë në të gjitha qarqe, ku njoftoi se ka hapur garën për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe u bëri thirrje kujdo nga radhët e policisë që ka ambicie të bëhet pjesë e konkursit. Po zëra brenda radhëve të Policisë së Shteti dhe jashtë saj e dinë tashmë se gara do të jetë fiktive dhe dinë edhe emrin e drejtorit të ri. Avokati Arben Llangozi ka publikuar një status në rrjetin social “Facebook”, ku bën të ditur se prej një jave ai dinte ditën kur do “jepte” dorëheqjen Muhamet Rrumbullaku dhe dinte edhe emrin që do ta zëvendësojë, bëhet fjalë për Drejtorin e Policisë Vendore të Elbasanit, Ilir Proda. Llangozi thotë se gara që ka hapur ministri Ervin Hoxha është fiktive pasi tashmë dihet se është paracaktuar fituesi i kësaj gare. “Ilir Proda i DVP Elbasan është drejtori i ardhshëm i Policisë Shtetit / Gara që propozoi Ministri i Brendshëm do të jetë fiktive dhe propagandë. Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha tha se do bëhet garë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shtetit. Ndërkohë unë po bëj 1 javë që mora vesh datën se kur do të japin dorëheqje Muhamet Rrumbullaku dhe mora vesh edhe drejtorin e ri të Policisë së Shtetit. Mora vesh se drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit do të zgjidhet Ilir Proda. Pra, gara është fiktive dhe po bëhet për propagandë, për t’i hedhur hi syve popullit. Pra, që ta dinë të gjithë Ilir Proda do të jetë Drejtor i Përgjithshëm dhe jo me garë por është zgjedhur me urdhër nga klanet”, shkruan në rrjetet sociale avokat Arben Llangozi.