Skandaloze dhe të papranueshme cilësohen akuzat ndaj Policisë, nga kryepolici Muhamet Rrumbullaku, për tentativë fshehje të ngjarjes për vrasjen e Egli Progës më 10 gusht nga Denis Meçe në Pogradec. Kryepolici hedh poshtë tezën se ngjarja ndodhi për gjobvënie. Sipas tij, konflikti ka qenë i çastit, por sërish nuk e sqaroi se çfarë realisht ka ndodhur.
Debat të gjerë zuri edhe ndryshimi i veprës penale të bërë nga Prokuroria, e cila e dërgoi dosjen në gjykatë për masë sigurie për ”vrasje nga pakujdesia”. Kryepolici nuk e komentoi veprimin e Akuzës, por u kujdes disa herë të përsëris veprën penale ”vrasje me dashje” që blutë ia referuan prokurorisë ngjarjen.
Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se urgjenca e spitalit rajonal në Pogradec, shkoi për 7 minuta në vendngjarje. ”Ambulanca ka mbërritur në vendngjarje për 7 minuta nga momenti i marrjes së telefonatës për ndihmë. Menjëherë kanë bërë masazh dhe ventilim dhe i gjithë misioni në total dhe situata është menaxhuar me kod të kuq traumatik për 20 minuta”, dekaroi Brataj.
Edhe kryeministri Edi Rama thotë se Policia dhe Urgjenca e kanë kryer detyrën e tyre me profesionalizëm. Për më tepër, kryeministri mirëkupton çdo person që ndihet i skandalizuar nga akuza e ngritur nga ana e Prokurorisë. Rama thekson se ”Vrasja nga pakujdesia” e ngritur si akuzë nga Prokuroria, tingëllon e pakuptueshme por shton se kjo nuk ka lidhje me Policinë e Shtetit dhe Urgjencën Kombëtare.