Zona e Zdrales do të përfshihet në një projekt rijetëzimi që synon ndërhyrje kryesisht në Pazarin e Shkodrës.


Një projekt i Fondit Shqiptar të Zhvillimit pritet që të zbatohet në vijim teksa këtë të enjte është hapur procedura e prokurimit me objekt “ Investime për Infrastrukturën e tregjeve dhe hapësirave tregtare, multifunksionale në zona model zhvillimi: Zdrale-Rijetëzimi urban i Pazarit të Shkodrës, Lot A – Rr. Hamz Kazazi”.

Referuar dokumentacionit nënvizohet se zona e Zdralës ka 300 vite që është formuar si lagje dhe karakteriozohet nga elemente interesante të trashëgimisë kulturore.

Është një zonë e madhe dhe qendrore në qytet ku është pjesë e një rrethi 5-10 minutësh i qarkullimit nga qendra dhe një vazhdimësi e zonës historike të qytetit.

Në krahasim me zonat urbane që e rrethojnë, aktiviteti ekzistues i Zdrales karakterizohet nga shërbime që operojnë kryesisht paradite dhe pasdite mbyllen të gjitha, kjo i jep një karakter më utilitar dhe tranzit.

Zdralja është e rëndësishme për sa i përket aktivitetit tregtar në qytet me mbi 30 vite zonë pazari, me 456 njësi shërbimi të ndryshme, me mbi 60 tregtarë të prodhimeve vendase nga i gjithë rajoni verior dhe mbi 30 shitës ambulantë.

Ka treg të veshmbathjeve me mbi 80 njësi shërbimi & qendër tregtare me 50 njësi shërbimi.


Ndërhyrja, çfarë parashikon

Në procedurën e shpallur këtë të enjte përcaktohet se do të ndërhyrjet me lote, ku i pari është ai A.

‘Lot A’ përfshin rrugën ‘Hamz Kazazi’; fillon nga ‘Xhamia e Parrucës’ dhe vazhdon deri te ‘Markata e Peshkut’.

Përbëhet nga objekte që fillojnë nga 1-9 kate lartësi, ka 95 njësi shërbimi me funksione të ndryshme duke filluar nga butik veshjesh / aksesorë dhe ushqimore (që janë më të përhapurat), dyqan peshku, bar-kafe, dyqan mishi, artikuj shtëpiakë, profesione të lira, fruta-perime, etj.

Rruga ‘Hamz Kazazi’ është rrugë dytësore urbane dhe shtrihet përgjatë gjithë ‘Lot A’; ka parkim të lirë, parkim privat dhe parkim përgjatë rrugës. Aktiviteti është i lartë, sidomos gjatë paradites sepse kjo rrugë është hyrje për në lagjen ‘Zdrale’ dhe për të frekuentuar njësitë e shërbimeve që shumica e tyre janë hapur vetëm paradite.

Më së shumti frekuentohet nëpërmjet këmbësorëve dhe biçikletave, më pak nga makina

Propozimi për këtë zonë fokusohet në pjesën e rrugës, shesheve dhe fasadave.


Rrugët dhe sheshet do trajtohen ne atë mënyrë që t’ju shërbej me së shumti këmbësorëve dhe biçikletave, ndërsa makinat do lejohen me orare të caktuara.

Zonat e ndërhyrjes do të jenë: • Sheshi i ‘Xhamisë së Parrucës’

• Sheshi në mes të kryqëzimit të rrugës ‘Hamz Kazazi’ dhe rrugës ‘Lidhja e Prizrenit’

• Sheshi i markatës së peshkut

• Rruga përgjatë gjithë zonës së Lot A Fasadat do trajtohen në bazë të gjendjes së tyre ekzistuese dhe këto ndërhyrje do bëhen në kategori të ndryshme të cilat janë:

• Kategoria I – Pastrim fasade ose bojatisje, zëvendësim i grilave të drurit, zëvendësim i vetrateve në katet zero, zëvendësim i parmakëve të objekteve, restaurim i rifiniturës së çatisë.

• Kategoria II -Suvatim / veshje / bojatisje, restaurim i dekoracionit mural, ndryshim / zëvendësim i dritareve ose grilave, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.

• Kategoria III – Trajtim fasade, ndryshim / zëvendësim i dritareve ose grilave, trajtim i verandave / ballkoneve, zëvendësim i vetratave në katet zero, restaurim i rifiniturës së çatisë.

• Kategoria IV – Paketa e muraturës, paketa e shtresave, asemblim i çatisë, dritare/dyer/vetrata, trajtim i ballkoneve/verandave.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.